Studiuesit kinezë kanë zbuluar një lloj të ri të gripit të derrit që mund të infektojë njerëzit dhe ka potencial të shkaktojë një pandemi të ardhshme, sipas një studimi të lëshuar të hënën, megjithëse shkencëtarët kanë paralajmëruar se virusi nuk paraqet një kërcënim të menjëhershëm global për shëndetin, shkruan CNN, transmeton Insajderi.
Sëmundja, të cilën studiuesit e quajtën virusi G4, ka prejardhje gjenetike nga gripi i derrit H1N1 që shkaktoi një pandemi në vitin 2009. G4 tani tregon “të gjitha shenjat thelbësore të një virusi pandemik potencial”, thuhet në studimin, botuar në revistën shkencore Proceedings të Akademisë Kombëtare të Shkencave (PNAS).
Por, Dr Angela Rasmussen, një virologe në shkollën e shëndetit publik të Universitetit Columbia, paralajmëroi publikun të mos “frikësohet”.
“Sigurisht, ky virus plotëson shumë kritere themelore, por nuk është e sigurt se do të shkaktojë një pandemi si kjo e vitit 2020”, thotë ajo.
Studiuesit kinezë të bazuar në disa institucione, duke përfshirë Universitetin Bujqësor Shandong dhe Qendrën Kombëtare të Gripit, zbuluan virusin G4 gjatë një programi të mbikëqyrjes së derrave. Nga viti 2011 deri në vitin 2018, ata mblodhën më shumë se 30,000 mostra të hundës nga derrat në thertore dhe spitalet e mësimit veterinar në 10 provinca kineze.
Nga këto mostra, studiuesit identifikuan 179 viruse të gripit të derrit – por jo të gjithë paraqesin shqetësim. Disa u shfaqën vetëm një vit nga shtatë të programit, por jo në nivele shqetësuese. /Insajderi.com