Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip" />

Sulmi kimik në Siri – Erdogan akuzon ashpër shtetet perëndimore

Sulmi kimik në Siri – Erdogan akuzon ashpër shtetet perëndimore

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan i bëri thirrje Perëndimit që t’u kushtojë vëmendje civilëve të pafajshëm të cilët janë viktima të sulmeve kimike në Duma, në enklavën siriane të Gutës Lindore, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan sot mori pjesë në kongresin e 6-të të rregullt të Partisë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) në provincën Siirt, kurse në fjalimin e tij ka dënuar ashpër sulmin e mbrëmshëm të forcave besnike të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad ku u përdor gaz helmues, me ç’rast jetën e humbën të paktën 78 civilë.

“Pyes gjithë Perendimin, kur mendoni të ktheheni pak dhe t’u kushtoni vëmendje fëmijëve, grave dhe njerëzve që vriten në Gutën Lindore, që të mund të themi se veproni me drejtësi”, ka thënë Erdoğan.

Ai gjithashtu tha se është e turpshme që disa tregtarë të armëve shfrytëzojnë tragjedinë humanitare në rajon për të realizuar përfitimet e tyre.

“Demokracia juaj, retorika rreth të drejtave të njeriut dhe të kuptuarit tuaj të të drejtave të njeriut është e turpshme”, ka thënë Erdoğan.

Duke komentuar edhe luftën kundër terrorizmit të cilin është duke e zhvilluar Turqia në rajon, Erdoğan deklaroi se që nga fillimi i operacionit “Dega e Ullirit” në rajonin sirian të Afrinit në total janë neutralizuar 4.017 terroristë.

Presidenti turk tha se forcat turke gjithashtu neutralizuan të paktën 327 terroristë në veri të Irakut.

“Do të vazhdojmë luftën me vendosmëri dhe do të shkatërrojmë të gjithë terroristët, pavarësisht se ku fshihen”, tha Erdoğan.

Forcat turke po kryejnë një luftë gjithëpërfshirëse kundër terroristëve të PKK-së brenda Turqisë dhe degëve të saj në veri të Sirisë dhe Irakut.

Operacionet ushtarake në rajonet kufitare të Irakut dhe Sirisë bazohen në të drejtat e Turqisë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare mbi vetë-mbrojtjen dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.