Sulmi terrorist në Vjenë – policia vazhdon kërkimin e të dyshuarit (VIDEO)

Ministri gjithashtu ka bërë të ditur se janë në kërkim të së paku një sulmuesi tjetër – derisa besohet se kanë mundur të jenë katër sulmues gjithsejtë.

Sulmi terrorist në Vjenë – policia vazhdon kërkimin e të dyshuarit (VIDEO)

Policia austriake janë vënë në kërkim të së paku një të dyshuari për sulmin e mbrëmshëm me armë zjarri në kryeqytetin austriak, në Vjenë, ku mbetën të vdekur katër persona.

Shtatëmbëdhjetë të tjerë janë lënduar – ka prej tyre me plagë të rënda – pasi disa persona hapën zjarr në gjashtë lokacione të ndryshme të kryeqytetit, të hënën në mbrëmje, njofton Insajderi.

Një nga sulmuesit është qëlluar për vdekje nga policia.

Ministri i Punëve të Brendshme, Karl Nehammer, i ka përshkruar sulmuesit si “terroristë islamikë”.

Nga katër të vdekurit, dy prej tyre ishin burra dhe dy të tjerë gra. Një nga gratë, siç raportohet, ishte kameriere në një lokal. Gruaja tjetër vdiq nga plagët gjatë natës në spital. Katër personat u vranë në qendër të qytetit, në një zonë mjaft të frekuentuar ku kishte lokale e restorante, afër Sinagogës së Vjenës – por ende nuk është bërë e ditur nëse Sinagoga ishte caku i sulmit.

Për momentin mësohet se shtatë, nga 17 të lënduarit, janë në rrezik për jetë, shkruajnë mediat austriake.

Ministri i brendshëm Nehammer tha se terroristi i vrarë ishte simpatizues i ISIS-it. Atij më pas i është kontrolluar shtëpia dhe i janë analizuar disa materiale të gjetura aty. I njëjti, përveç armëve që posedonte, rreth belit kishte vënë edhe një rrip me eksploziv fals.

Ministri gjithashtu ka bërë të ditur se janë në kërkim të së paku një sulmuesi tjetër – derisa besohet se kanë mundur të jenë katër sulmues gjithsejtë.

Qeveria ka shpallur tri ditë zie kombëtare, me flamujt në gjysmë shtizë dhe nga një minutë heshtje në mesditë. Shkollat gjithashtu do të mbajnë një minutë heshtje në nderim të viktimave.

 

Çfarë dihet deri tani për sulmin?

Policia thotë se sulmi filloi rreth orës 20:00, afër një sinagoge, kur një person i armatosur rëndë hapi zjarr në drejtim të njerëzve në kafe dhe restorante aty pranë.

Pjesëtarë të forcave speciale shpejt arritën në vendin e ngjarjes. Një polic ishte qëlluar dhe lënduar rëndë para se sulmuesi, i armatosur me një pushkë automatike, një pistoletë dhe një thikë të madhe, ishte “neutralizuar”, rreth orës 20:09.

Chris Zhao, një dëshmitar okular ishte afër në një restorant kur sulmi kishte ndodhur.

“Dëgjuam zhurma që ngjanin si fishekzjarrë, dëgjuam diku 20 ose 30 krisma të tilla dhe pastaj menduam se mos mund të jenë të shtëna armësh. Pamë ambulancën, pastaj edhe viktimat. Fatkeqësisht pamë edhe një trup të shtrirë për toke në rrugën afër nesh”, tha ai për BBC, njofton Insajderi.

Pastaj filloi një operacion i gjerë policor dhe policia bllokoi disa rrugë rreth qendrës së qytetit.

Njerëzve iu kërkua të qëndrojnë larg qendrës dhe të mos e përdorin trafikun publik.

Policia në Republikën e Çekisë, matanë kufirit me Austrinë, njoftoi se po bën kontrolle të vazhdueshme me policinë austriake në mënyrë që ta kapin sulmuesin nëse veç provon kalimin në Çeki./Insajderi.com