Super Liga Europiane mund të dështojë akoma pa nisur, ky skenar i bujshëm vjen në faqet e prestigjiozes “Times”, që minimizon siguritë e ideatorëve dhe themelueseve kryesorë të turneut, që ka tronditur nga themelet futbollin europian, njofton Insajderi.
Duke qëndruar në atë që raporton e përditshmja angleze, një prej gjashtë klubeve të Premier League po mendon seriozisht të tërhiqet nga projekti.
Pa përmendur emrin, “Times” bën të ditur se prej ditësh së djeshme po zhvillohen mbledhje të vazhdueshme për të vendosur hapat që do të merren më pas.
Gazeta citon burime të saj të mirë informuara. Sipas tyre, drejtuesit e klubit janë të shqetësuar nga reagimet e ashpra që pasuan njoftimin për krijimin e Super Ligës Europiane.
Shqetësimi më i madh vjen pas kundërshtimeve të tifozëve që nuk e kanë pritur aspak mirë këtë vendim. Në këtë mënyrë, sipas “Times” ky projekt mund të dështojë që në fillim. /Insajderi.com