Klubi futbollistik Prishtina është fitues i Superkupës së Kosovës për edicionin 2019/20, pasi e ka mundur me rezultat 3-1 skuadrën kampione në fuqi, Dritën e Gjilanit, në ndeshjen që u zhvillua në Antalya të Turqisë, njofton Insajderi.
Siç bën të ditur Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), skuadrat u paraqiten me një lojë dinamike, ku kryeqytetasit kaluan në epërsi që në minutën e 3-të me golin e Qëndrim Zybës.
Por, vetëm katër minuta më vonë u kundërpërgjigjen gjilanasit, të cilët barazuan shifrat nëpërmjet Kastriot Rexhës.
Prishtina e ktheu epërsinë në minutën e 22-të, kur Besnik Krasniqi u tregua i saktë nga penalltia, pasi më herët Leonit Abazi u pengua brenda zonës nga mbrojtja gjilanase.
Pjesa e dytë u zhvillua me dinamikë të njëjtë, por, Prishtina finalizoi golin e tretë kur Alban Shillova shënoi në minutat e shtesë të ndeshjes.
Në fund, kapiteni i ekipit të Prishtinës, Lorik Boshnjaku pranoi trofeun nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Për Prishtinën ky ishte trofeu i 10-të i Superkupës në histori, ndërsa këto dy skuadra do të ballafaqohen sërish më 10 shkurt në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Kosovës për edicionin 2020/2021, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kjo finale për herë të parë u organizua jashtë vendit, me pajtim të të dyja klubeve vendase, të cilat po qëndrojnë në Turqi për përgatitje para stinorit pranveror. /Insajderi.com