Gjatë ditës së diele, Superliga e Kosovës në futboll vazhdon me javën e 27-të në program, ku do të zhvillohen dy ndeshje me fillim nga ora 15:00, njofton Insajderi.
Derbi i javës zhvillohet në Suharekë, ku ekipi e vendit të dytë, Ballkani, pret ekipin e vendit të tretë, Prishtinën. Fitorja në këtë takim është detyrë për të dyja ekipet, pasi ditën e djeshme Drita ka shënuar fitore dhe është shkëputur tre pikë nga Ballkani dhe shtatë nga Prishtina.
Sfida tjetër e ditës së sotme zhvillohet në Drenas, ku Feronikeli pret mysafirët e Llapit. Miqtë nga Podujeva ndodhen në vendin e pestë në ligë me dy pikë më shumë se nikoqirët e Feronikelit, që ndodhen në pozitën e shtatë.
Me një fitore eventuale, ekipi nga Drenasi do të largohej nga zona e rrezikshme, pasi momentalisht ndodhet vetëm katër pikë larg vendit që dërgon në Ligën e Parë. /Insajderi.com