Superliga: Trepça ’89 mposht Gjilanin, Llapi mposht Besën ndërsa Arbëria dhe Drenica ndajnë pikët

Superliga: Trepça ’89 mposht Gjilanin, Llapi mposht Besën ndërsa Arbëria dhe Drenica ndajnë pikët

Në kuadër të javës së 34-të në Superligë, Trepça ’89 ka mposhtur Gjilanin me shifrat 2:1, Llapi ka fituar minimalisht 1:0 kundër Besës, ndërsa Arbëria dhe Drenica kanë ndarë pikët duke luajtur 1:1, njofton Insajderi.

Në sfidën e zhvilluar në Mitrovicë, fillimisht kaluan në epërsi mysafirët e  Gjilanit me golin e shënuar nga Kelmendi në minutën e 22-të, teksa ekipi i Trepçës ’89 përmbysi rezultatin në pjesën e dytë. Fillimisht barazoi rezultatin Muja në minutën e 56-të, ndërsa Muja shënoi përsëri në minutën e 69-të, për tre pikë me vlera të mëdha në luftën për mbijetesë. Trepça ’89 me këto tre pikë shkon në kuotën e 39 pikëve në vendin e shtatë, ndërsa Gjilani mbetet në vendin e katërt me 48 pikë.

Llapi në sfidën tjetër ka shënuar fitore 1:0 me golin e vetëm të shënuar nga Prenci në minutën e 59-të kundër Besës. Me këto tre pikë, Llapi shkon në 42 pikë në vendin e pestë, ndërsa Besa mbetet në vendin e fundit në 12 sosh.

Sfida tjetër mes Arbërisë dhe Drenicës është mbyllur baras 1:1, teksa Marclei kaloi në epërsi nikoqirët me golin e shënuar në minutën e 23-të, ndërsa në pjesën e dytë barazuan mysafirët me golin e shënuar nga Uka në minutën e 58-të. Më këtë pikë, Arbëria mbetet në vendin e nëntë me 37 pikë, ndërsa Drenica shkon në 42 pikë, në vendin e gjashtë në tabelë. /Insajderi.com