Sot gjatë të dielës, Superliga e Kosovës në futboll vazhdon me javën e 25-të, ku në program janë tri ndeshje, dy që fillojnë nga ora 13:00, ndërsa një tjetër fillon nga ora 13:30, ku derbi luhet në Suharekë, mes Ballkanit dhe Dritës, njofton Insajderi.
Me fillim nga ora 13:00, në Skenderaj, Drenica pret mysafirët nga Lipjani, ekipin e Arbërisë. Është ndeshje e ekipeve që luftojnë për mbijetesë, pasi Arbëria ndodhet në vendin e tetë me 26 pikë, ndërsa Drenica ndodhet një pozitë më poshtë me një pikë më pak.
Ndeshjë tjetër që fillon në të njëjtin orar, është ajo mes Gjilanit dhe Trepçës ’89, ku Ismet Munishi do ta ketë sfidën e parë si timonier i Gjilanit, ndërsa ekipi nga Mitrovica, në stinorin pranveror po kalon një formë të mirë, ku e njëjta gjë nuk mund të thuhet për gjilanasit. Aktualisht Gjilani ndodhet në vendin e katërt me 33 pikë, teksa Trepça ’89 ndodhet një pozitë më poshtë me një pikë më pak.
Derbi i javës zhvillohet në Suharekë, ku me fillim nga ora 13:30, Ballkani i vendit të dytë, pret liderin e ligës, Dritën e cila ka 53 pikë, dy më shumë se rivali i sotëm i tyre. /Insajderi.com