Talentët kosovarë preferojnë Shqipërinë – Kosova fokusohet tek “arnautët”

Edhe pas pranimit të Kosovës në FIFA, talentët më në zë kosovarë në Evropë po zgjedhin të përfaqësojnë kombëtaren shqiptare në futboll para asaj kosovare. Donis Avdijaj, Milot Rashica apo Albian Ajeti janë tre nga futbollistët më të talentuar shqiptarë të momentit të cilët kanë dhënë shenja të qarta se duan të luajnë për Shqipërinë.

Talentët kosovarë preferojnë Shqipërinë – Kosova fokusohet tek “arnautët”

Zvicra, Gjermania apo Suedia njihen për sistemin e suksesshëm të punës me të rinj dhe prodhimin e talentëve. E në këto vende të kycura në shkollat e futbollit janë në një masë të madhe edhe futbollistët me origjinë nga Kosova – të lindur në Kosovë dhe të shpërngulur në shtetet perëndimore gjatë luftës së Kosovës, apo të lindur në këto shtete nga familje refugjate nga Kosova.

Edhe futbollistët e lindur në Kosovë nuk bëjnë përjashtime në këtë “trend” të fundit të futbollistëve shqiptarë. Edhe pse përfaqësuesja kosovare ka luajtur ndeshje miqësore nën ombrellën e FIFA-s që nga viti 2015, futbollistët më të mirë kosovarë në Evropë kanë pranuar vetëm ftesën e trajnerit italian të Shqipërisë, Gianni De Biasi, me përjashtim të mbrojtësit Loret Sadiku i cili i qëndroi stoik fjalës së tij për të luajtur me Kosovën pavarësisht interesimit të De Biasit.

Talenti i Schalke 04, i huazuar nga skuadra e madhe gjermane tek klubi austriak Sturm Graz, është njëri ndër talentet e fundit që ka bërë zgjedhje “kuqezi”. Ai ende nuk është bërë pjesë zyrtare e kombëtares shqiptare, por ka thënë se ka biseduar me trajnerin italian të Shqipërisë dhe se do të luajë për Shqipërinë.

I njohur për klauzolen e tij prej 50 milionë eurosh, Avdijaj është njëri prej talenteve më në zë të futbollit shqiptarë në Evropë. Sezonin e fundit me skuadrën e Sturm Graz, ai ka shënuar gjashtë gola. Më parë Avdijaj ka luajtur edhe në ekipet e moshave të Gjermanisë.

“Ka pasur një kërkesë nga Kosova por për mua është ma përpara me luajtur për Shqipërinë, pasi e kam në gjak e kam në zemër dhe për këtë punë kam vendosur me babanë tim”, tha ai në një intervistë për asport.info në muajin prill të këtij viti .

Në anën tjetër, edhe dy nga talentet më të mëdhenj të dalur nga futbolli i Kosovës pas luftës, Milot Rashica dhe Amir Rrahmani janë tashmë pjesë e përfaqësueses shqiptare dhe kanë kaluar nëpër ekipet e grupmoshave të reja deri tek kombëtarja A, duke lënë pezull mundësinë e paraqitjes me Kosovën.

Rashica dhe Rrahmani kanë preferuar të luajnë me U-21 të Shqipërisë, se sa miqësoret e Kosovës, duke i dhënë përparësi përfaqësueses shqiptare. Vlen të theksohet se menaxher i Milot Rashicës është ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Altin Lala, i cili mund të ndikojë në këtë zgjedhje të futbollistit.

Insajderi ka provuar të kontaktojë me dy talentet e lindur dhe rritur në Kosovë, por komunikimi me ta ka qenë i paarritshëm.

Edhe talenti tjetër i dalë nga shkolla kosovare e futbollit, gjakovari 21 vjeçar, Eros Grezda ka preferuar një ftesë nga kombëtarja shqiptare gjatë muajit mars të këtij viti, duke thënë se nga Kosova nuk ka pasur asnjë kërkesë dhe interesim.

“Do ta pranoja me kënaqësi ftesën e përfaqësueses shqiptare dhe do të presë deri sa të më vijë ftesa e Shqipërisë. Sa i përket Kosovës do ta mendoja edhe atë pasi është vendlinja ime”, kishte thënë futbollisti i Lokomotivës së Zagrebit – pak javë para se ta merrte ftesën e përfaqësueses shqiptare, në emisionin “2 me 1”.

Kosova fokusohet tek futbollistët kosovarë në ligën turke

bursa

Pas disa refuzimeve të papritura nga futbollistët e njohur kosovarë që luajnë në kombëtaret evropiane, si ajo e Zvicrës, me Granit Xhakën dhe Valon Behramin që kanë hedhur kategorisht poshtë mundësinë e të luajturit me Kosovën, trajneri Alber Bunjaku ka kthyer sytë kah futbollistët me origjinë nga Kosova në ligën turke – të njohur ndryshe si arnaut.

Pasi konfirmoi prurjen e parë nga Superliga turke, futbollistin e Beshiktashit, Necip Uysal, Bunjaku ka nxituar të gjejë futbollistë të tjerë nga kjo ligë që i përshtaten përfaqësueses së tij. Të shtunën në një intervistë me gazetën turke Miliyet, trajneri kosovar tregoi se është duke parë me vëmendje edhe “pistën” e quajtur Serdar Aziz.

Aziz, i sapo transferuar tek Galatasaray, është i lindur në Bursa – një qytet që njihet për shumicën e popullsisë me origjinë shqiptare – derisa është paraqitur nëntë herë për Turqinë.

“Ne besojmë se ka më shumë futbollistë në ligën turke që mund t’i hyjnë në punë Kosovës”, deklaroi Bunjaku për mediumin turk Miliyet, pasi konfirmoi arritjen e Uysalit në përfaqësuese.

Aziz luan në qendër të mbrojtjes ndërsa Uysal është futbollist polivalent që mund të luajë në dy apo tri pozicione, si mbrojtës dhe mesfushor.

Pritet vendimi i FIFA-s për futbollistët që luajnë me kombëtaret e tjera

hetemaj

Si rasti i Necip Uysal dhe Serdar Aziz, edhe futbollistët e tjerë kosovarë potencial për ta zgjedhur Kosovën, si dy vëllezërit Berisha në Norvegji, Hetemaj në Finland apo futbollistët kosovarë të Zvicrës, duhet fillimisht të marrin lejën e FIFA-s për ndërrimin e përfaqësueses.

Siç kishte njoftuar FFK më parë, FIFA ka ndërtuar një komision të veçantë që do të vendosin nëse ndërrimi i përfaqësueseve evropiane për Kosovën do të jetë i mundur.

Vendimi i këtij komisioni të FIFA-s pritet të vijë gjatë dy muajve të ardhshëm, para fillimit të kualifikueseve të Botërorit “Rusia 2018”. /Insajderi.com