Mërgim Berisha është njëri nga futbollistët më të talentuar të futbollit në Austri. Mediet austriake e krahasojnë 18-vjeçarin me futbollistin suedez, Zlatan Ibrahimoviç.
I lindur në Gjermani, nga një familje shqiptare e Kosovës, ai është shpërngulur si i ri në Austri së bashku me familjen, ku vazhdon të luajë ende.
Berisha është futbollist i skuadrës së madhe austriake, Red Bull Salzburg, por luan i huazuar në kategorinë e dytë të futbollit austriak, me Liefering. Në shtatë ndeshjet e para të sezonit, talenti kosovar ka arritur të shënojë shtatë herë.
Ai shprehet i kënaqur me krahasimet që i janë bërë me yllin e Manchester Unitedit, Zlatan Ibrahimoviç.
“Më duhet të punoj më shumë me topin, dhe mendoj se jam duke bërë progres”, thotë Mërgimi për portalin austriak Laola1.net.
Berisha tregon se ka disa opsione për të luajtur me kombëtaret e futbollit. Gjermania, Shqipëria, Kosova dhe Austria janë të gjitha opsione reale për futbollistin e talentuar me origjinë nga Kosova, raporton Insajderi.
“Për mua nuk ka rëndësi nëse luajë me Kosovën, Gjermaninë apo ndoshta edhe me Austrinë”, shprehet Berisha, duke lënë të hapura të gjitha mundësitë. “Unë luajë prej vitesh në Austri dhe i njoh futbollistët. Mund të jetë një mundësi në të ardhmen”.
18-vjeçari nuk është paraqitur me asnjë skuadër kombëtare të kategorive të reja. /Insajderi.com