Të gjithë personat në Britanin e Madhe do të kenë qasje në dy teste të shpejta anti-COVID brenda javës duke filluar nga e premtja, njofton Insajderi.
Testet dhe rezultatet e të cilave do të dalin brenda 30 minutave, do të jenë të qasshme falas në qendra të testimit, barnatore ose do të dërgohen me postë.
Ministria britanike e Shëndetësisë ka deklaruar se me këtë hap po synon të shmangë shpërthimet e Coronavirusit, teksa lehtësohen masat e izolimit.
Ndërsa, disa kritikë kanë thënë se ky program rrezikon të kthehet në shpenzim “skandaloz” të parave.
Kurse, për të nënshkruar fazën e re të lehtësimit të masave, e cila mundëson hapjen e dyqaneve jo të domosdoshme dhe rihapjen e restoranteve nga 12 prilli, Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet të takohet të hënën me kabinetin qeveritar për vendimin.
Testet e shpejta veçse kanë nisur t’iu ofrohen fëmijëve nëpër shkolla dhe familjeve të tyre, si dhe atyre që nuk mund të punojnë nga shtëpitë.
Ky lloj i testit, që mund të kryhet në shtëpi, ka për qëllim testimin e personave që nuk kanë simptoma të Coronavirusit. /Insajderi.com