Të paktën 41 persona e kanë humbur jetën në një tragjedi me migrantë që ndodhi në pjesën qendrore të Detit Mesdhe më 20 shkurt, njoftoi Zyra e Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM) pranë OKB-së në Itali, transmeton Insajderi.
Në një njoftim të përbashkët nga Zyra e IOM-it në Itali dhe Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) thuhet se sipas deklaratës së personave që kanë shpëtuar të paktën 41 persona e kanë humbur jetën, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratave të dëshmitarëve, në gomonen që është nisur më 18 shkurt nga Libia, ndodheshin 120 persona prej të cilëve gjashtë gra dhe katër fëmijë. Gomoneja filloi të mbushet me ujë 15 orë pas nisjes në det dhe bëri thirrje për ndihmë urgjente.
Më tej në njoftim thuhet se pas tre orësh anija “Vos Triton” me një operacion i ka ndihmuar, por gjatë kësaj periudhe shumë persona kanë humbur jetën.
Në njoftimin e përbashkët të institucioneve të OKB-së thuhet se dhjetëra mijëra migrantë që përpiqen të kalojnë Mesdheun Qendror përmes Libisë janë viktima të “brutalitetit të papërshkrueshëm” të trafikantëve me njerëz dhe milicëve, ndërsa që nga fillimi i vitit 2021 në det kanë humbur jetën 160 migrantë.
Ndërkohë mes datës 1 janar-21 shkurt 2021, numri i atyre që kanë kaluar Mesdheun dhe kanë arritur në Itali është mbi 3.800 prej të cilëve 2.257 janë nisur nga Libia.
Në njoftim u bë thirrje për përpjekje urgjente ndërkombëtare ndaj migrimit të parregullt. /Insajderi.com