Teherani anulon Lutjet e së Premtes për shkak të koronavirusit të ri

Ceremonia e Lutjeve të së Premtes është anuluar në Teheran për shkak të shpërthimit të koronavirusit të ri, kanë raportuar mediat shtetërore, teksa autoritetet kanë konfirmuar se rastet e prekura me këtë sëmundje në Iran kanë shkuar në më shumë se 100.

Teherani anulon Lutjet e së Premtes për shkak të koronavirusit të ri

Në mesin e të prekurve është thënë se është edhe zëvendës-presidentja e Iranit për Gratë dhe Çështje Familjare, Masoumeh Ebtekar.

Ebtekar është pjesëtarja e dytë e Qeverisë iraniane që është thënë të jetë infektuar, pas zëvëndës-ministrit të Shëndetësisë, Iraj Harirshi.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Iran, IRNA, ka thënë se i gjithë ekipi i Ebtekarit do t’iu nënshtrohet testimeve për virusin.

Ndërkohë, zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Kianush Jahanpur ka thënë më 27 shkurt se numri i vdekjeve të lidhura me koronavirusin e ri është rritur nga 7 në 26 në 24 orët e fundit, duke shënuar numrin më të madh të viktimave jashtë Kinës, ku ka shpërthyer fillimisht virusi.

Në Gjenevë, shefi i Kombeve të Bashkuara për Shëndetësi, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se bota ende mund të ndalë shpërndarjen e virusit nëse merren veprime të menjëhershme.

“Ne jemi në periudhë vendimtare”, ka thënë Tedros, duke shtuar se “ky virus ka potencial pandemik”.

Më shumë se 82,000 persona në rreth 40 shtete janë infektuar me koronavirusin e ri, kryesisht në Kinë.

I njohur si COVID-19, kjo sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes ka lënë të vdekur më shumë se 2,700 persona në gjithë botën./rel.