Tensionet me Ankaranë, Merkel kërkon mirëkuptimin e turqve

Tensionet me Ankaranë, Merkel kërkon mirëkuptimin e turqve

Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi mirëkuptimin e shtetasve gjermanë me origjinë turke për krizën në marrëdhëniet mes Berlinit dhe Ankarasë.

“Unë do të dëshiroja raporte më të mira me Turqinë, por duhet të shohim realitetin”, deklaroi ajo në konferencën e parë për shtyp pas pushimeve të verës.  Merkel përdori termin “fazë shumë e komplikuar” për të ilustruar raportet mes dy vendeve, por tha se kursi i ri i qëndrimeve ndaj Turqisë lindi si domosdoshmëri pas veprimeve të Ankarasë.

“Riorentimi i raporteve me Turqinë ishte i domosdoshëm për shkak të arrestimit të shtetasve gjermanë”, u shpreh Merkel.

Nëse do të ketë një shkrirje të shpejtë të tensioneve, kancelarja gjermane la të kuptohej se kjo nuk është në dorë të Gjermanisë.

“Përmirësimi i raporteve varet nga respektimi i rregullave të shtetit të së drejtës. Në këtë moment kjo nuk po ndodh në Turqi dhe veç kësaj është edhe kërkesa e qartë që gjermanët e arrestuar për shkaqe politike të lirohen menjëherë”, shtoi Merkal.

Nga të dhënat e Ministrisë së Jashtme gjermane, nën masa arresti në Turqi mbahen 10 shtetas gjermanë, ndër ta edhe gazetarët Deniz Yucel dhe Mesale Tolu, si dhe aktivisti i të drejtave të njeriut, Peter Steudtner.