Teqball – sporti më i ri në botë arrin edhe në Kosovë

Teqball – sporti më i ri në botë arrin edhe në Kosovë

Sporti më i ri në botë i quajtur Teqball e që u formua në Hungari nga dy entuziastë, ka arritur të përfshihet në mbi 130 shtete.

Ky sport luhet në një tabelë, e cila ngjason me atë të ping-pongut, por që luhet me një ose dy lojtarë për ekip.

Federata e këtij sporti e quajtur “FITEQ”, pretendon që këtë vit të njihet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

Ky sport, së fundmi ka arritur edhe në Kosovë, ku edhe kanë formuar Federatën e Teqballit me kryetar Bashkim Hasanin.

Hasani në një intervistë dhënë Gazetës Online “Insajderi”, ka treguar për klubet e regjistruara në këtë federatë.

“Federata e Teqballit për momentin përbëhet nga pesë klube: Klubi ‘Dardania’ nga Prishtina, Klubi ‘Prishtina’ nga Prishtina, Klubi ‘Sashaj’ nga Prishtina si dhe ‘Liria’ nga Prizreni dhe ‘Vllaznia’ nga Gjakova, domethënë momentalisht Teqballi në vendin tonë ka pesë ekipe të shtrira me nga dy regjione”, tha Hasani derisa tregoi edhe për skuadrën e re, e cila së fundmi është regjistruar në federatën e tyre.

“Momentalisht është regjistruar edhe klubi i Teqballit në Mamushë nga rrethina e Prizrenit, ku do ta bëjmë promovimin dhe do tu dorzojmë zyrtarisht një tabelë të Teqballit, e cila vjen si donacion nga Ambasada e Hungarisë”.

Mes tjerash, kryetari Hasani ka treguar edhe për një takim të zhvilluar me Ambasadën e Hungarisë, e cila ka shprehur dëshirën të ndihmojnë federatën e vendit.

“Gjatë së enjtes, ku së bashku me sekretarin e Federatës së Teqballit, Rexhep Fanën dhe ish-presidentin e KOK-ut, Besim Hasanin, kemi pasur takim me Ambasadën e Hungarisë të cilët kanë shprehur dëshirën të ndihmojnë Federatën me dy tabela për këtë sport”, tha ai.

Më 12 gusht të këtij viti, do të organizohet edhe një mini-manifestim për nder të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë. Hasani jep më shumë detaje në lidhje me këtë iniciativë.

“Me datën 12 gusht, Ambasada e Hungarisë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe atë të Prizrenit do të organizojnë një mini-manifestim për nderë të Ditës Botërore të të Rinjëve, dhe sipas të gjitha gjasave do të vizitohemi edhe nga Federata Internacionale e Teqballit si dhe Federata e Teqballit të Hunarisë, ku do të nënshkruajmë një memorandum bashkëpunimi”.

Për fund, kryetari i kësaj federate tregoi edhe për ligën e Teqballit në Kosovë, si dhe fituesin e kësaj lige – një klub i cili vjen nga kryeqyteti.

“Në fillim të muajit shkurt, kemi mbajtur kampionatin e parë të Teqballit në vend, ku kanë marrë pjesë të pesë ekipet. Klubi “Dardania” nga Prishtina është shpallur kampion”, përfundoi ai.

Në Kuvendin e kaluar të Punës të mbajtur nga Komiteti Olimpik i Kosovës më 25 mars të këtij viti, kjo Federatë është pranuar me të drejta të plota nga KOK-u, njëkohësisht duke respektuar edhe afatin për aplikim dhe licensim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku kanë plotësuar të gjithë dokumentacionet dhe presin që shumë shpejt të pranohen nga kjo ministri./Insajderi.com