Termocentrali Kosova e Re, investimi më i madh privat në vend që i jep fund humbjeve vjetore prej 300 milion eurosh

Termocentrali Kosova e Re, investimi më i madh privat në vend që i jep fund humbjeve vjetore prej 300 milion eurosh

Nënshkrimi i marrëveshjeve për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ i hap rrugë investimit më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë, thuhet në numrin e fundit të buletinit të energjisë, të publikuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

‘Ekonomia e vendit pritet të përjetojë një impuls të ri zhvillimi për disa arsyje: do të kontribuojë në arritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike që përmirëson kushtet e afarizmit për biznesin Kosovar në përgjithësi, investim 100% me kapital privat, ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik, si dhe do të krijojë siguri për investitorë tjerë në të ardhmen’, thuhet në buletinin e energjisë të MZHE-së.

Ndryshe, raporte të USAID theksojnë se bizneset në Kosovë humbin mbi 300 milion euro në vit, për shkak të problemeve të furnizimit me energji elektrike.

‘Duke ofruar siguri afatgjate të furnizimit, Kosova e Re do t’i japë fund humbjeve vjetore prej 300 milionë euro të shkaktuara nga furnizimi aktual i pasigurt i energjisë elektrike në Kosovë’, thuhet në buletin.

Në mungesë të termocentralit të ri, Kosova do të vazhdojë të mos ketë siguri të furnizimit me energji elektrike, si dhe do ta mbështesë importin e bilancit të nevojshëm nga hidrocentrale në rajon.

‘Po ashtu, vendi do të varet nga importi (kryesisht nga Serbia) i energjisë në periudha kritike gjatë dimrit, si praktikë që nxjerrë para jashtë shtetit pa lënë asnjë gjurmë në ekonominë vendore’, thuhet në buletin.

Vetëm gjatë dhjetë viteve të fundit, Kosova ka importuar mbi gjysmë miliard euro energji elektrike, për të mundësuar furnizimin me energji elektrike. Përkundër, reduktimet e energjisë elektrike ishin prezente në Kosovë, pothuajse gjatë gjithë kohës.

‘Vendin tonë e presin shumë pasoja nëse gjeneruesëve vendorë të energjisë elektrike nuk i shtohet termocentrali ‘Kosova e Re’, kur dihet se Kosova së shpejti do të dekomisionohet’, thuhet në buletin.

Termocentrale të reja janë paralajmëruar nga të gjitha vendet në rajon, dhe disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Në strategjinë e saj energjetike, Serbia planifikon ndërtimin e termocentraleve me kapacitet të përgjithshëm prej 2500 megavatëve, kryesisht me përkrahje financiare nga fonde shtetërore të Kinës dhe Rusisë.

Kosova ka përzgjedhur ContourGlobal, kompaninë Amerikane me bazë në Londër për zhvillimin e projektit të termocentralit të ri. Së fundmi, dy palët kanë informuar mbi përzgjedhjen e gjigantit Amerikan ‘General Electric’, për ndërtimin e këtij termocentrali.

Zbatimi i suksesshëm i projektit të Kosovës së re, përvec që do të furnizojë konsumatorët me energji të rregullt elektrike, do të ndryshojë perspektivën e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të krijojë një ambient atraktiv për investimet e huaja direkte dhe do të nxisë rritjen e përgjithshme ekonomike në vend.