Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, të hënën ka fituar në fazën e tij të parë gjyqësore të përpjekjes për të “përmbytur” vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën akuzat për spiunazh, transmeton Insajderi.com.
Gjykata e Lartë në Londër i ka dhënë atij leje për të apeluar këtë çështje në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar, raporton Associated Press.
“Mos bëni gabim, ne fituam sot në gjykatë”, ka thënë e fejuara e Assange jashtë gjykatës, duke treguar se ai mbetet ende në paraburgim në Londër.
Ndërkaq ky vendim është hapi i fundit i “betejës” së gjatë të Assange për shmangjen e një gjyqi në SHBA për një sërë akuzash të cilat kanë të bëjnë me publikimin e dokumenteve të klasifikuara nga WikiLeaks, para 10 vjetësh.
Para më shumë se një viti, gjykatësi i Gjykatës së Qarkut në Londër, e refuzoi një kërkesë të SHBA-së për ekstradimin e tij me arsyetimin se Assange mund të vriste veten nëse do të mbahet në kushte të rënda burgu atje.
Kurse, autoritetet amerikane më vonë kanë dhënë garanci se ai nuk do të përballej me një trajtim të ashpër që sipas avokatëve të tij do të rrezikonte shëndetin e tij fizik dhe mendor.
Gjykata e Lartë muajin e kaluar ka rrëzuar vendimin e gjykatës më të ulët duke thënë se premtimet e SHBA-së ishin të mjaftueshme për të garantuar që Assange do të trajtohej në mënyrë njerëzore.
Këto garanci nga SHBA-ja ishin fokusi i vendimit të së hënës nga Gjykata e Lartë në Londër.
Avokatët e të akuzuarit po kërkojnë apelimin e vendimit sepse SHBA-ja i ofroi garancitë pasi që Gjykata e Ulët e mori vendimin e saj. Por, Gjykata e Lartë rrëzoi këtë vendim të saj me arsyetimin se gjyqtarja duhet t’i kishte dhënë SHBA-së mundësinë për të ofruar garancitë përpara se të merrte vendimin e saj përfundimtar.
Kjo Gjykatë i ka dhënë Assang-it lejen për të apeluar në mënyrë që Gjykata e Lartë të vendosë “në çfarë rrethanash një gjykatë apeli mund të marrë garanci nga një shtet kërkues në procedurat e ekstradimit”.
Mbrojtësit e Assange kanë argumentuar se premtimi i qeverisë amerikane se ai nuk do t’i nënshtrohet kushteve ekstreme është i pakuptimtë, sepse “është i kushtëzuar dhe mund të ndryshohet sipas gjykimit të autoriteteve amerikane”.
Ndryshe, SHBA-ja ka kërkuar nga autoritetet britanike që të ekstradojnë atë në mënyrë që të mund të dalë në gjyq për 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim kompjuteri të lidhur me publikimin e mijëra dokumenteve ushtarake dhe diplomatike të zbuluara nga WikiLeaks.
Assange, 50-vjeçar është mbajtur në burgun e sigurisë së lartë në Belmarsh që nga viti 2019, kur u arrestua për anashkalimin e lirimit me kusht gjatë një beteje të veçantë ligjore.
Para kësaj, ai ka kaluar shtatë vjet i mbyllur brenda Ambasadës së Ekuadorit në Londër, ku kërkoi mbrojtje në vitin 2012 për të shmangur ekstradimin në Suedi për t’u përballur me akuzat për përdhunim dhe sulm seksual.
Suedia kishte hequr dorë nga hetimet për krimet seksuale në nëntor të vitit 2019 sepse kishte kaluar shumë kohë.
Sipas prokurorëve amerikanë, ai ndihmoi në mënyrë të paligjshme analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet e klasifikuara diplomatike dhe dosjet ushtarake që WikiLeaks publikoi më vonë, duke vënë jetë në rrezik.
Avokatët e Assange argumentojnë se klienti i tyre nuk duhej të akuzohej sepse ai po vepronte si gazetar dhe mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA që garanton lirinë e shtypit. Ata thonë se dokumentet që ai publikoi ekspozuan keqbërjet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan.
“Ai nuk duhet të përballet me ndjekje penale dhe dekada burg për publikimin e informacionit të vërtetë me rëndësi të madhe publike”, tha Barry Pollack, avokati i tij në Shtetet e Bashkuara./Insajderi.com