Portieri shqiptar nuk i ka aspak raportet e mira me klubin italian, derisa së fundmi po preferohet veterani Pep Reina para tij, njofton Insajderi.
Strakosha ka dhënë sot sinjalin më të qartë se po mendon lamtumirën nga skuadra kryeqytetase Lazio.
25-vjeçari në një intervistë të dhënë për “Sky Sports” në Gjermani, ka pranuar se po ndjek me interes Bundesligën dhe nuk e mohon mundësinë e transferimit aty.
“Unë jam i hapur ndaj sfidave të reja. Roma është si një shtëpi e dytë për mua, por Bundesliga është një kampionat shumë interesant. Mund të jetë një hap shumë i mirë për karrierën time”, tha lojtari i cili duket se ka piketuar edhe një klub të mundshëm ku të aktivizohet.
Ai ka thënë se do të gënjente nëse do të thoshte se nuk është i interesuar për kalimin te Dortmund.
“Borussia Dortmund? Është një kub i madh me ambicie të mëdha. Qartësisht është një klub interesant dhe ka edhe një stadium të pabesueshëm. Do të gënjeja po të thosha që nuk jam i interesuar”, ishin fjalët e Strakoshës që kanë bërë bujë në Gjermani, por edhe në Itali ku nuk pritej një deklaratë e tillë nga portieri./Insajderi.com