Tillerson e anulon vizitën në Meksikë për shkak të krizës në Katar

Tillerson e anulon vizitën në Meksikë për shkak të krizës në Katar

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillersosn, e ka anuluar një vizitë të planifikuar në Meksië, duke thënë se do të qëndroj në Uashington, për të punuar në zgjidhjen e mospajtimeve ndërmjet Katarit dhe disa shteteve të tjera arabe.

Departamenti amerikan i shtetit tha mbrëmë se John Sullivan, zëvendës i zotit Tillerson, do të udhëtoj në Meksikë për të marrë pjesë në mbledhjen e Organizatës së Shteteve Amerikane, javën e ardhshme, ndërsa Tillerson do të përpiqet t’i bindë Katarin, Arabinë Saudite, Bahrejnin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që t’i zgjidhin mospajtimet.

Tensionet ndërmjet partnerëve të Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik u paraqitën këtë muaj, kur Bahrejni, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, së bashku me Egjiptin, i shkëpuntën lidhjet diplomatike me Katarin, për shkak të dyshimeve për mbështetje të ekstremizmit. Katari i ka hedhur poshtë këto akuza.

Përpjekjet e zotit Tillerson po bëhen në periudhën kur Turqia, Franca, Kuvajti dhe vendet e tjera, po ashtu, i kanë shtuar angazhimet e tyre për ndërmjetësim për gjetjen e zgjidhjes së krizës ndërmjet shteteve arabe.