Tillerson përsërit mbështetjen e SHBA-së për NATO-n

Tillerson përsërit mbështetjen e SHBA-së për NATO-n

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka përsëritur mbështetjen e Uashingtonit për aleancën e NATO-s, një ditë pasi presidenti, Donald Trump i tha Kongresit amerikan se aleatët e NATO-s “kanë filluar” të përmbushin detyrimet e tyre financiare për shpenzimet ushtarake.

Në deklaratë e 1 marsit, Tillerson tha se administrata e Trumpit do të vazhdojë “mbështetjen e politikave dhe institucioneve që i mbajnë të sigurtë amerikanët, përfshirë një NATO të fortë, ku aleatët përmbushin përgjegjësitë e tyre”.

Sekretari Tillerson tha se Uashingtoni “do të punojë me aleatët për t’iu kundërvënë kombeve që kërcënojnë fqinjtë e tyre apo destabilizojnë rajonet e tyre”.

Ai tha se “politika e jashtme amerikane duhet të promovojë vlerat tona themelore të paqes, demokracisë dhe stabilitetit”, njofton rel.

Gjatë fjalimit të tij para Kongresit amerikan, Trump ka thënë se “Ne presim që partnerët tanë- qoftë në NATO, në Lindjen e Mesme apo Paqësor, të kenë rol të rëndësishëm në operacionet strategjike dhe ushtarake, dhe të përmbushin obligimet e tyre financiare”.