Prej pak muajsh nuk është më një futbollist i AS Roma, por Francesco Totti është shumë i lidhur me klubin verdhekuq, ku aktualisht po punon si drejtues.
Gjatë një interviste për “Corriere della Sera” dhe “Canale 5”, ish-kapiteni trajton tema të ndryshme, mes të cilave kombëtarja e Italisë. “Po të isha unë trajner, Insigne do të kishte luajtur që nga minuta e parë. Në Federatën Italiane të Futbollit duhen njerëz si Tommasi në rolin e drejtuesit dhe Vincenzo Montella si trajner.” Ndërsa për garën e titullit në Serie A, Totti thotë: “Nëse nuk e fiton Roma do të doja ta fitonte Napoli, jo Inter ose Juventus.”
Që nga 28 maji, Totti nuk është më futbollist. “Ka ndryshuar gjithçka, – tregon ai. – Jeta, mendimet dhe fiziku nuk janë më njëlloj. Më parë zgjohesha herët dhe nisja stërvitje, ndërsa tani më duhet të programoj ditën. Nuk ka qenë e thjeshtë. Po shijoj jetën si familjar dhe jam gati për një rrugë të re. Nuk mund të dilja nga bota e futbollit, sepse është gjithçka për mua, shkruan telesport.
Do të punojë gjithmonë në futboll dhe jam i bindur për këtë. Kam dëshirë të jem në kontakt me trajnerin dhe drejtuesit e klubit. Unë di si duhen trajtuar lojtarët, i njoh sjelljet në dhomat e zhveshjes, fjalët dhe shikimet. Kthehem ndonjëherë atje, por me një ndryshim të madh, nuk zhvishem më për të luajtur futboll.”