Me një avantazh 2-3 nga ndeshja e parë, Borussia e Dortmundit do të përpiqet që të sigurojë një biletë në çerekfinalet e Champions-it sot në ndeshjen e kthimit kundër Sevilla-s, njofton Insajderi.
Skuadra e Edin Terziç, vjen pas përmbysjes së çmendur të Bayern Munchen në klasiken e Bundesligës të shtunën (4-2), por për kapitenin Marco Reus skuadra nuk do ta ndiejë aspak këtë humbje, pas së cilës ka bërë analizën e thellë.
“E analizuam mirë humbjen e së shtunës dhe me Sevilla-n do të kemi një test të madh përpara nesh, objektivi i të cilit është të kualifikohemi. Ne duam të luajmë siç bëmë në Sevilje, me shumë agresivitet. Do të na bënte të gjithëve shumë krenarë kualifikimi në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Ne jemi përgatitur shumë mirë për gjithçka dhe do të shkojmë atje”, tha kapiteni i gjermanëve gjatë konferencës për shtyp. Ndërsa trajneri Edin Terziç shtoi:
“Ne presim një ndeshje shumë të mirë nga Sevilla, edhe nëse rezultatet e tyre të fundit nuk kanë qenë të shkëlqyera. Po përgatitemi për ta, për të treguar një intensitet të ndryshëm në Dortmund nga ndeshja e vajtjes”. Ndërkohë që tekniku i andaluzianëve, Julien Lopetegui, tha në konferencën për shtyp:
“Vijmë këtu me entuziazëm dhe dëshirë. Duam ta përmbysim. Ky është një duel shumë emocionues. Luajmë kundër Dortmundit, një skuadër e shkëlqyer me lojtarë të mëdhenj, mes tyre Haaland, i cili është i kalibrit botëror”. /Insajderi.com