Mirlind Daku nuk u ftua nga trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, për ndeshjet e Kosovës kundër Suedisë dhe Spanjës, në kuadër të eliminatoreve për Kupën e Botës “Qatar 2022”, njofton Insajderi.
Lojtari i cili aktivizohet tek Ballkani është golashënuesi më i mirë i Superligës, por nuk u pa si i nevojshëm nga trajneri zviceran për të mbajtur repartin e sulmit te Kosova.
Trajneri, tashmë i Gjilanit, Ismet Munishi, ka përkrahur sulmuesin 22 vjeçar në deklaratën e tij, duke kritikuar Challandesin për zgjedhjen e gabuar. Sipas tij është e pamundur që një lojtar që ka shënuar 26 gola në Superligën e Kosovës, të mos thirret për ndeshjet e përfaqësueses.
Gjithashtu edhe Leart Paqarada u ndie i pavlerësuar nga Challandes duke u shprehur se nuk do të vijë më te Kosova deri në momentin që do të jetë i njëjti trajner.
“Një futbollist që shënon 26 gola nuk ftohet dhe vjen dikush tjetër që për sy të ballit nuk luan dot as në Superligën e Kosovës, është tmerr. Atij zvicerani duhet t’i dhembi koka që na vjen dhe bënë filma këtu”, u shpreh Munishi. /Insajderi.com