Trajneri i Portos para ndeshjes ndaj Juves: Shpresoj të fitoj e të kualifikohemi

Trajneri i Portos para ndeshjes ndaj Juves: Shpresoj të fitoj e të kualifikohemi

Trajneri i Portos, Sergio Conceicao e di që është përballë një takimi historik dhe është gati për takimin e sotëm kundër kampionit italian Juventus, njofton Insajderi.

“Do të shkojmë në ndeshje me të njëjtin shpirt si në takimin e vajtjes, – tha trajneri i Portos në konferencë. – Jemi përgatitur për një rezultat pozitiv, i cili do të na çonte te kualifikimi. Ronaldo ka pushuar? Forca e Juves është edhe te fakti që mund të lërë jashtë një prej lojtarëve më të mirë. Ata janë mësuar me presionin e këtyre ndeshjeve. Ndërsa ne duhet të mendojmë për skuadrën tonë dhe përgatitur në mënyrën më të mirë”, tha fillimisht tekniku portugez.

Në lidhje me dyshimet në formacion, ish-mesfushori i Lazios, Parmës dhe Interit tha: “Për Jesus Coronën kam ndonjë dyshim. Pastaj Grujiç është dëmtuar dhe po e monitorojmë. Nuk mund të them do të luajnë ose jo, por janë në dyshim”. Në fund edhe një batutë për ata që e krahasojnë me Mourinhon në stolin e “Dragonjve”: “Mundohem të bëj punën time. Nuk më pëlqen të krahasohem me askënd. Unë jam unë. Shpresoj të fitoj e të kualifikohem”, tha në fund Conceicao. /Insajderi.com