Trajneri i Partizanit të Beogradit befason me kërkesën ndaj tifozëve serb

Trajneri i Partizanit të Beogradit befason me kërkesën ndaj tifozëve serb

Trajneri i Partizanit të Beogradit, Miroslav Gjukiç, e vlerësoi si kundërshtar shumë të fortë Skënderbeun në prag të përballjes së kthimit në stadiumin e Beogradit.

Ai shtoi se pret spektakël në fushë dhe tribuna, por jo reagime të tjera që nuk kanë lidhje me futbollin.

“Jemi të vetëdijshëm që luajmë ndaj Skënderbeut një nga dy ndeshjet më të rëndësishme në grup. Na pret një takim i vështirë, sepse Skënderbeu është i fortë dhe mjaft agresiv, gjithsesi ne duam vetëm fitoren. Nuk presim probleme në stadium. Na duhet spektakël futbollistik në një ndeshje të madhe. Duhet të flasim vetëm për futboll dhe jo për gjëra të tjera. Duhet të jemi miq dhe të afrohemi me njëri-tjetrin. Besoj dhe shpresoj të jetë një ndeshje korrekte dhe e bukur. I bëj apel publikut që të mendojë vetëm për futbollin. Nga ajo që ndodhi para tre vitesh e pësuan futbollistët dhe kombëtarja, që nuk pati mundësi për t’u kualifikuar. Do të mundohemi t’ua kthejmë mikpritjen shqiptarëve”, tha ai.

Përsa i përket gjendjes fizike të futbollistëve të tij, Gjukiç theksoi se nuk mund të ketë asnjë justifikim përballë Skënderbeut.

“Nuk do të jetë faktor lodhja fizike. Nuk kemi justifikime, do të luajmë në sulm. Stojkoviç besoj se do të jetë gati. Kemi pasur një dëmtim gjatë stërvitjes së fundit, të shohim si do të jetë situata”.

Në konferencë përkrah trajnerit u shfaq edhe Zoran Tosiç, një nga elementët më të rëndësishëm të Partizanit të Beogradit, i cili premton fitoren për të shpresuar te kalimi i grupit, transmeton Supersport.

“Do të jetë një ndeshje e fortë, e bukur dhe shumë e rëndësishme. Nuk do ta kemi aspak të lehtë, ndaj duhet të jemi shumë të përqendruar për të marrë maksimumin e mundshëm. Në takime të tilla, një apo dy raste mund të vendosim ndeshjen, prandaj duhet t’i shfrytëzojmë mundësitë që do të na jepen”.