Tre persona humbën jetën nga një shpërthim bombe në Mogadishu të Somalisë

Tre persona humbën jetën nga një shpërthim bombe në Mogadishu të Somalisë

Të paktën tre persona, përfshirë dy ushtarë, u vranë në kryeqytetin e Somalisë sot në mëngjes në një shpërthim bombe që kishte në shënjestër një automjet ushtarak në të cilin ndodhej stafi i lartë, transmeton Insajderi.

Disa të tjerë u plagosën në sulmin që ndodhi në rrugën Abdikasim në qytetin Mogadishu, duke bllokuar kryqëzimin e ngarkuar KM4, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtari i policisë lokale Abdifatah Hassan tha për AA përmes telefonit se eksplozivi i përdorur në shpërthim ishte një bombë e vendosur përskaj rrugës dhe kishte në objektiv një zyrtar ushtarak.

Ai tha se zyrtari i lartë arriti të shpëtonte i padëmtuar, megjithëse dy prej truprojave të tij dhe një civil u vranë.

Gjithashtu duke folur për AA, zëdhënësi i policisë somaleze Sadaq Adan Ali konfirmoi sulmin, por jo viktimat.

Mediat lokale raportojnë se objektiv i sulmit ka qenë zëvendëskomandanti i ushtrisë së Somalisë.

Asnjë grup ende nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, megjithëse al-Shabaab, grupi terrorist i lidhur me al-Kaidën me bazë në Somali, ka marrë përsipër sulme të tjera të fundit në vendin e Bririt të Afrikës. /Insajderi.com