Trump dhe Pompeo takohen me ministrin e jashtëm rus Lavrov

Presidenti Donald Trump u takua të martën pasdite pas dyerve të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov. Takimi erdhi pas shpalljes nga komisioni i ligjeve i Dhomës së Përfaqësuesve të akuzave që synojnë shkarkimin e presidentit.

Trump dhe Pompeo takohen me ministrin e jashtëm rus Lavrov

Përpara kësaj, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo pati një takim me ministrin rus në Departamentin e Shtetit, ku deklaroi se çdo ndërhyrje e huaj në zgjedhjet amerikane është “e papranueshme” dhe paralajmëroi Rusinë dhe të tjerët se administrata Trump do të mbrojë integritetin e votës.

Në bisedimet e tij të gjera me homologun rus që përfshinin edhe mosmarrëveshjet për kontrollin e armëve, Ukrainën, Sirinë dhe Venezuelën, zoti Pompeo tha në një konferencë të përbashkët shtypi se administrata do t’i kundërvihet ndërhyrjes në zgjedhje, si në ato të kaluara ashtu edhe në të ardhmen.

Para takimit me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ministri Lavrov përsëriti mohimet ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Ai tha se përfundimi i arritur nga bashkësia amerikane e inteligjencës se Rusia ndërhyri në favor të zotit Trump është “e pabazë”.

Nga ana e tij zoti Pompeo u shpreh: “Unë kam qenë i qartë: Ishte e papranueshme, dhe në fakt i bëra të qarta pritshmëritë tona për Rusinë.” “Administrata Trump, tha ai, gjithmonë do të punojë për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve tona. Pikë. Nëse Rusia ose ndonjë aktor i huaj ndërmarrin hapa për të minuar proceset tona demokratike, ne do të ndërmarrim veprime si kundërpërgjigje.”

Ministri i jashtëm rus, Lavrov ironizoi “valën e dyshimeve që ka përmbytur Uashingtonin” në lidhje me ndërhyrjen në zgjedhje, duke kërkuar përsëri që Moskës t’i dorëzohen provat e një veprimtarie të tillë nëse ekzistojnë.

“Të gjitha spekulimet në lidhje me ndërhyrjen tonë të pretenduar në proceset e brendshme të Shteteve të Bashkuara janë të pabaza,” tha zoti Lavrov. “Askush nuk na e ka dhënë këtë dëshmi sepse ajo thjesht nuk ekziston,” tha ai. Ministri hodhi një propozim të përsëritur të Rusisë për publikimin e komunikimeve konfidenciale me SHBA, për të zgjidhur shqetësimet për zgjedhjet e 2016-s që ai tha se administrata Obama nuk e pranoi.

Sekretari Pompeo nuk u shfaq i impresionuar nga oferta e zotit Lavrov dhe tha se SHBA tashmë i kanë bërë publike konkluzionet e tyre.

Vizita e zotit Lavrov në Uashington është e para që nga maji 2017.

Lavrov dhe Pompeo vunë në dukje bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit dhe anti-narkotikëve që ka vazhduar megjithë tensionet dhe shprehën shpresë se synimet e përbashkëta për Korenë e Veriut dhe Iranin mund të realizohen.

Por, ata pranuan gjithashtu se mosmarrëveshjet janë të mëdha dhe përfshijnë traktatin e ri për kontrollin e armëve që skadon vitin e ardhshëm dhe dëbimin reciprok të diplomatëve nga të dyja vendet.