Takimi i sotëm i shumëpritur i presidentëve amerikan dhe rus ndoshta mund t’i lëvizë disa kufij. Bisedat fillojnë në orën 13:15 në kështjellën presidenciale në Helsinki, temat do të zgjidhen aty për aty.
![Trump dhe Putin po e ndryshojnë botën?](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2018/07/08-putin-Tan2018-7-14_133224763_2_620x0.jpg)
Negociatat e presidentëve të SHBA dhe Rusisë të cilat do të mbahen sot në Helsinki nuk do të kenë agjendë të precizuar, por gjatë bisedimeve liderët do të caktojnë vet se për çfarë dëshirojnë të bisedojnë, ka paralajmëruar zëdhënësi i Putinit Dimitrij Peskov. Kur të fillojnë negociatat, Trump dhe Putin do të bisedojnë pa kufizim mbi temat të cilat i konsiderojnë më të rëndësishme, shkruan sot gazeta serbe “Novosti”.
Pas negociatave në katër sy, Trump dhe Putin do të kalojnë në Sallën e pasqyrave, ku organizohet një drekë pune dhe në të cilën do të marrin pjesë edhe anëtarët e delegacioneve. Është paraparë që negociatat të zgjasin tri orë, mirëpo takimi mund të zgjasë edhe më shumë.
Këshilltari i Putinit për politikë të jashtme, Jurij Usakov, ish ambasador i Rusisë në Uashington, ka thënë se temat kryesore janë marrëdhëniet reciproke të dy superfuqive dhe perspektiva e zhvillimit, pastaj kriza në Siri dhe programi nuklear i Iranit. Trump dhe Putin do të vendosin se a do të ketë deklaratë të përbashkët, apo gjithçka do të përfundojë me konferencë për gazetarë./Insajderi.com.