Stacioni televiziv amerikan "Fox News" sot ka lajmëruar, duke u thirrur në burime anonime, se samiti i liderëve të SHBA dhe Rusisë do të mbahet në kryeqytetin finlandez Helsinki.

Presidentët e SHBA dhe Rusisë Donald Trump dhe Vladimir Putin do të takohen më 16 korrik në Helsinki, kanë kumtuar Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini në kumtesat e sinkronizuara, transmeton AP.
Më herët Fox News ka publikuar se Trump dhe Putin do të takohen në Helsinki pa e theksuar datën e saktë të takimit.
Trump do të marrë pjesë në samitin e NATO-s më 11 dhe 12 korrik në Bruksel, dhe më pas do të takohet me Putinin, transmeton Insajderi.com.
Trump i ka thënë gazetarëve se me Putinin do të bisedojë për luftën në Siri dhe situatën në Ukrainë.
Presidenti amerikan tashmë ka theksuar se dëshiron marrëdhëniet më të mira me Rusinë, ndërsa me Putinin për herë të fundit është takuar në margjina të samitit Aziatik – Paqësor në Vietnam, në nëntor të vitit të kaluar./Insajderi.com.