“Trump e ka ndihmuar djalin e tij për deklaratë”

“Trump e ka ndihmuar djalin e tij për deklaratë”

Shtëpia e Bardhë ka pranuar dje se presidenti amerikan, Donald Trump, e ka ndihmuar djalin e tij për ta përgatitur deklaratën për takimin e vitit të kaluar me një avokate ruse gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale.

E përditshmja Washington Post ka raportuar pardje se presidenti i kishte thënë djalit të tij, Donald Trump të riut, që t’i thotë shtypit se takimi kryesisht ishte i fokusuar në adoptimet e fëmijëve rusë nga shtetasit amerikanë, megjithqë më vonë, emailat kanë treguar se takimi ishte paraparë për diskutim për informacione dëmtuese potenciale për rivalen presidenciale demokratike, Hillary Clinton.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee, tha se presidenti Trump vetëm “ka ofruar sugjerime, sikur që do të vepronin shumë baballarë” dhe ka shtuar se deklarata e djalit të presidentit për shtyp, pasi takimi ishte zbuluar për të parën herë muajin e kaluar, ishte e vërtetë dhe “nuk ka pasur pasaktësi” në të.

Ky incident duket se tregon për përkushtimin e presidentit që t’i neutraalizoj akuzat për përzierjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane. Kjo çështje e ka ndjekur presidencën e tij prej 20 janarit kur ai u inaugurua në Shtëpinë e Bardhë.

Ky zhvillim i fundit mund të ndikoj në intensifikimin e akuzave të ligjvënësve të Shteteve të Bashkuara se Trump po përpiqet t’i fshehë lidhjet me qeverinë e jashtme, e akuzuar për përpjekje për ta ndihmuar atë në zgjedhje, shkruan REL.

Avokati i presidentit, Jay Sekulow, i ka hedhur poshtë raportet për këtë incident, duke i cilësuar si “keqinformim”.