Trump “falënderon” Rusinë për dëbimin e stafit diplomatik nga Moska

Trump “falënderon” Rusinë për dëbimin e stafit diplomatik nga Moska

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka falënderuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për urdhrin e zvogëlimit të stafit diplomatik amerikan në Moskë, duke thënë se i ka ndihmuar në kostot e pagave.

Trump i ka bërë këto deklarata para gazetarëve në Nju Xhërsi, derisa është duke kaluar pushimet në atë vend, mirëpo ka folur për herë të parë, për vendimin e muajit të kaluar të presidentit Putin.

Një vendim i tillë po konsiderohet në mesin e zvogëlimeve më të mëdha diplomatike, në mes të ish-rivalëve të Luftës së Ftohtë.

Komentet e Trumpit kanë ardhur pas vazhdimit të hetimeve për lidhje të mundshme në mes rusëve dhe fushatës presidenciale të Trumpit, hetim i cili po përcillet me ngritje të tensioneve.

Trump ka thënë se ka qenë “i befasuar” kur e ka kuptuar se është duke u hetuar edhe ish-shefi i fushatës së tij, Paul Manafort, për këto dyshime rreth lidhjeve ruse.

Gazetarët e kanë pyetur Presidentin nëse është duke bërë shaka, se e konsideron ndihmesë, masën hakmarrëse të Putinit për të reduktuar për 755 stafin diplomatik, pasi me këtë hap, Trump do të përmbushte objektivin e tij për shkurtim të buxhetit.

“Dua ta falënderoj atë, pasi ne jemi duke tentuar të shkurtojmë kostot e pagave”, ka thënë Trump.

“I jam shumë falënderues Putinit që vendosi të largojë një numër të madh të njerëzve, sepse tani kemi më pak njerëz në listën e pagave. Nuk kemi arsye t’i kthejmë mbrapa. Ne kemi kursyer shumë para”, ka shtuar tutje Trump.

Urdhri i presidentit Putin për zvogëlimin e stafit diplomatik amerikan në Rusi, ka qenë përgjigje e pritur gjatë, pas dëbimit të 35 diplomatëve rusë gjatë vitit të kaluar, në kuadër të një serie masash drejt Rusisë, për ta ndëshkuar atë, pas dyshimeve se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama pati urdhëruar dëbimin e personelit dhe konfiskimin e pronave diplomatike në SHBA, pasi agjencitë e Inteligjencës amerikane patën ardhur në përfundim se Rusia ishte përpjekur për të rritur shanset për fitoren e Trumpit për president, duke publikuar dokumente, në dëm të kundërshtares së tij demokrate, Hillary Clinton.

Këto hetime të Departamentit të Drejtësisë, për ndërhyrjet e mundshme ruse, i ka udhëhequr këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, i cili së fundmi ka mbledhur një Juri të Madhe për këtë çështje.

Hetimet e ndara nga komitete të ndryshme të Kongresit për çështjen ruse, kanë ndikuar më pas në marrjen e një hapi historik nga Kongresi, i cili me shumicë votash, e ka miratuar legjislacionin për fuqizimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Presidenti Trump e ka nënshkruar pa dëshirë legjislacionin, duke përsëritur vazhdimisht se hetimet i cilëson si “gjueti shtrigash”, të cilat në fund do të zbulojnë se nuk ka pasur asnjë lidhje në mes të fushatës së tij dhe Rusisë.

Trump, ka thënë se është befasuar kur ka kuptuar për bastisjen e FBI-së në shtëpinë e ish-shefit të fushatës së tij, Paul Manafort, gjatë muajit të kaluar.

“Ata e bëjnë këtë gjë shumë rrallë, jam befasuar kur kam parë atë”, ka thënë Trump, duke shtuar se Manafort ka drejtuar fushatën e tij “ për një periudhë të shkurtër kohore”.

“Mendoj se ky ka qenë një sinjal i fortë”, ka shtuar tutje Presidenti.

Manafort, hedh poshtë dyshimet se ka bërë diçka të jashtëligjshme, ndonëse ai ka lidhje me partinë e ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych, që aktualisht jeton në ekzil në Rusi, pasi është larguar nga vendi i tij më 2014.

Diplomatë dhe ish-diplomatë kanë mbetur të habitur nga deklaratat falënderuese të Trumpit ndaj Putinit, për zvogëlim masiv të stafit diplomatik amerikanë në Rusi, njofton REL.

“Në rast se ka bërë shaka, atëherë ai e di më mirë”, ka thënë Nicholas Burns, zyrtari i tretë më i lartë në udhëheqësinë e ish-presidentit republikan, George W. Bush.

“Në rast se jo, kjo është e paparë më herët. Një President kurrë nuk e ka mbrojtur dëbimin e diplomatëve tanë”, ka shtuar ai.

Një diplomat aktual, duke folur në kushte anonimiteti, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters, se stafi i departamentit ka qenë “i tmerruar dhe i tronditur”, nga deklaratat e Trumpit.

Ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga Departamenti amerikan i Shtetit për këtë gjë