Trump flet për aferën me aktoren pornografike

Trump flet për aferën me aktoren pornografike

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për një pagesë prej 130.000 dollarësh amerikanë që avokati i tij personal ia ka bërë një aktoreje të filmave pornografikë – e cila thotë se ka pasur një lidhje intime me të.

I pyetur nëse ka qenë i informuar për pagesën që i është bërë Stormy Daniels, Trump ka thënë “jo”, raporton CNN.

Trump ka folur para gazetarëve, të enjten, në bordin e avionit presidencial, Air Force One.

I pari i Amerikës ka thënë se nuk e di përse avokati i tij shumëvjeçar, Michael Cohen, e ka bërë këtë pagesë, apo se ku i ka marrë ai paratë.

Daniels thotë se ka bërë seks me presidentin në vitin 2006, dhe se është paguar si pjesë e një marrëveshjeje për të heshtur rreth rastit – të cilën ajo po përpiqet ta shfuqizojë.

Përfaqësuesit e presidentit më herët kanë mohuar se Trump dhe Daniels kanë qenë dashnorë.