Trump: Irani duhet të jetë i kujdesshëm

Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje Iranit të jetë i kujdesshëm me pasurimin e uraniumit në nivelin i cili është i ndaluar sipas marrëveshjes ndërkombëtare mbi programin nuklear iranian.

Trump: Irani duhet të jetë i kujdesshëm

“Irani duhet të jetë i kujdesshëm sepse pasurimi i uraniumit është për një qëllim, nuk do të them se cili është ai qëllim. Kjo nuk është mirë”, ka thënë mbrëmë Trumpi për gazetarë në Moristaun në Nju Xhersi.

Shefi i diplomacisë amerikane Mike Pompeo ka premtuar se Irani do të jetë edhe më shumë i izoluar dhe i ekspozuar për sanksione pas kumtesës së qeverisë iraniane se do të fillojë pasurimin e uraniumit.

Pushteti në Iran ka kumtuar të dielën se gjatë ditës do të fillojnë ta pasurojnë uraniumin në nivelin i cili është i ndaluar sipas marrëveshjes. Niveli i lejuar është deri në 3,67 për qind.

Teherani më pas ka kërcënuar se nuk do t’i respektojë edhe disa dispozita të marrëveshjes nukleare “pas 60 ditëve” nëse nuk gjendet zgjidhja dhe nëse nuk plotësohen kërkesat e Iranit.

Masat iraniane paraqesin përgjigje në tërheqjen amerikane nga marrëveshja dhe futjen e sërishme të sanksioneve.

Marrëveshjen për programin bërthamor iranian e kanë lidhur në vitin 2015 në Vjenë Irani me gjashtë fuqi të mëdha – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina, pas 12 vjet krize rreth këtij programi./Insajderi.com.