Trump: Macron i ka fyer anëtaret tjera të NATO-s

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se komenti i paradokohshëm i presidentit francez Emmanuel Macron se NATO po përjeton "vdekje klinike",është shumë ofendues për 28 anëtare tjera të kësaj aleance ushtarake. Ai këto komente të Macron-it i ka quajtur si “shumë të pështira “.

Trump: Macron i ka fyer anëtaret tjera të NATO-s

Duke folur përkrah Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, derisa udhëheqësit e vendeve anëtare, u mblodhën për një samit në Londër, presidenti Trump tha se “ju thjesht nuk mund të shkoni vërdallë duke bërë deklarata të tilla sikurse ato për NATO-n”.

Komentet e presidentit Macron u bënë në një intervistë me revistën britanike The Economist, muajin e kaluar. Ai që atëherë ka mbrojtur qëndrimet e tij, duke thënë se NATO-s “kishte nevojë për një alarm zgjimi” dhe duhet të përqendrohet në çështje të ndryshme nga shuma e parave që secili anëtar shpenzon për mbrojtjen.

Presidenti Trump dhe presidenti Macron do të takohen gjatë së martës.

Shpenzimet e mbrojtjes janë nënvizuar vazhdimisht nga presidenti Trump që kur morri detyrën në vitin 2017 dhe u ankua se Shtetet e Bashkuara po bartin barrën e tepruar financiare.

Përveç buxhetit vendet anëtare të NATO-s, tha sekretari Stolteberg, do të diskutojnë për luftën kundër terrorizmit, kontrollin e armatimeve, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.

Samiti po mbahet derisa presidenti Trump përballet në shtëpi me një hetim për shkarkimin e tij. Ai përsëriti kritikat e tij të martën për demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se është e padrejtë të mbahen seanca ndërsa ai po merr pjesë në samit./Insajderi.com.