Trump mohon se është racist

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mohoi se është racist pas komenteve të bëra për një kongresist demokrat me ngjyrë dhe për qytetin amerikan të Baltimores.

Trump mohon se është racist

Trump e sulmoi në mënyrë verbale kongresistin Elijah Cummings, duke e cilësuar qarkun e tij në Baltimore, i banuar me shumicë me ngjyrë, si “rrëmujën më të neveritshme dhe më irrituese”.

Disa demokratë, përfshirë udhëheqësen e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e kritikuan presidentin për gjuhën e përdorur.

Trump ua ndërroi drejtimin kritikave, duke e akuzuar kongresistin Cummings për racizëm.

“Nuk ka asgjë raciste në deklarimin e asaj që shumica e njerëzve e dinë, se Elijah Cummings ka bërë një punë të tmerrshme për njerëzit e rrethit të tij”, shkroi Trump në një postim në Twitter.

“Demokratët gjithmonë luajnë me kartën e racizmit kur nuk janë në gjendje të fitojnë me fakte”, tha Trump, duke mos ofruar asnjë shembull për veprimet e pretenduara raciste të kongresistit Cummings.

Si kryetar i Komitetit për Mbikëqyrje, në kuadër të Dhomës së Përfaqësuesve, Cummings ka nxitur disa hetime në administratën Trump, përfshirë trajtimin e migrantëve në qendrat e paraburgimit.

Trump i bëri komentet për Cummingsin vetëm disa javë pasi ai u kritikua për disa deklarata të tjera, duke iu thënë katër kongresisteve me ngjyrë që “të kthehen” në vendet nga vijnë.