Trump për trazirat në Kongres: Nuk dua dhunë, kurrë nuk kam dashur

Trump për trazirat në Kongres: Nuk dua dhunë, kurrë nuk kam dashur

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, për trazirat e javës së kaluar në Kongresin Amerikan, ka deklaruar se ai nuk dëshiron “dhunë” dhe se “kurrë” nuk ka dashur, transmeton Insajderi.

Në prononcimin e tij të parë pas trazirave në Kongresin Amerikan, gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë presidenti në largim i SHBA-ve u tha se procesi për impiçment kundër tij i filluar nga demokratët është “absolutisht qesharak” dhe se kjo po shkakton “zemërim të jashtëzakonshëm”, raporton Anadolu Agency (AA).

Trump nuk mori asnjë përgjegjësi për dhunën në Kongres dhe theksoi se fjalimi i tij pak para trazirave ishte “plotësisht i përshtatshëm”.

Ai po ashtu kritikoi gjigandët e teknologjisë amerikane, përfshirë Twitter, Facebook dhe Instagram, për bllokimin e llogarive të tij dhe tha se kjo do të jetë një “gabim katastrofik” për ta.

“Por mendoj se teknologjia e madhe ka bërë një gabim të tmerrshëm dhe është shumë e keqe për vendin tonë dhe kjo i bën të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë”, tha Trump.

Komentet e Trump-it erdhën para se të nisej për në shtetin e Teksasit për të vëzhguar murin përgjatë kufirit me Meksikën. /Insajderi.com