Trump shkelë premtimin e parë si president

Trump shkelë premtimin e parë si president

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk do ta publikojë pasqyrën e tij të taksave – edhe pasi që të kryhet auditimi që ai shumë shpesh e ka përmendur, ka bërë të ditur këshilltarja e tij e lartë, Kellyanne Conway, të dielën.

Në një intervistë për “This Week” në ABC, Conway është pyetur nëse Shtëpia e Bardhë do t’i përgjigjet më shumë se 200.000 nënshkruesve të një peticioni që i bën thirrje Trumpit të publikojë pasqyrën e tij të taksave.

“Përgjigja e Shtëpisë së Bardhë është se ai nuk do të publikojë pasqyrën e tij të taksave”, ka thënë Conway.

“Ne jemi përballur me këtë gjatë tërë fushatës. Njerëve nuk iu ka interesuar”, ka thënë ajo.

“Ata kanë votuar për të, dhe më lejoni ta bëjë këtë shumë të qartë: Shumica e amerikanëve janë shumë të përqendruar në atë se si do të duket pasqyra e tyre e taksave përderisa Presidenti Trump është në pushtet, e jo se si duket pasqyra e tij e taksave”, është shprehur ajo.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump është bërë kandidati i parë i një partie të madhe që nga viti 1972 që nuk ka publikuar pasqyrën e tij të taksave – duke u arsyetuar se ishte në pritje të një auditimi, dhe duke thënë se pasqyrën e taksave do ta publikonte sapo auditimi të përfundonte.