Trump: Sudani ka pranuar normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin

Trump: Sudani ka pranuar normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump njofton se Sudani dhe Izraeli kanë rënë dakord për normalizimin e marrëdhënieve, transmeton Insajderi.

Sudani dhe Izraeli kanë rënë dakord të normalizojnë marrëdhëniet, ka njoftuar presidenti i ShBA-ve, Donald Trump, të premten nga Shtëpia e Bardhë, një veprim që u denoncua nga palestinezët si një “goditje e re në shpinë” raporton Al Jazeera.

Trump, i cili po kërkon rizgjedhjen me tre nëntor, ka nënshkruar marrëveshjen me një telefonatë të bërë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe kryeministrin sudanez Abdalla Hamdok, si dhe Shefin e Këshillit Kalimtar Abdel Fattah al-Burhan, thanë zyrtarë të lartë të ShBA-së.

“Udhëheqësit ranë dakord për normalizimin e marrëdhënieve midis Sudanit dhe Izraelit dhe për t’i dhënë fund gjendjes së luftës midis kombeve të tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga të tre vendet. Trump shtoi se ai pret që palestinezët dhe kombet e tjera, përfshirë Arabinë Saudite, të bien dakord gjithashtu për normalizim të marrëdhënieve me Izraelin në muajt e ardhshëm. Qeveria nga Khartoum-i është tani qeveria e tretë arabe që normalizon marrëdhëniet me Izraelin në dy muajt e fundit, pas Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit. “Ky do të jetë vendi i tretë ku ne po e bëjmë këtë – dhe ne kemi shumë e shumë të tjerë që vijnë”, tha presidenti Trump. /Insajderi.com