Trumpi këmbëngul për murin, trafikantët i kundërpërgjigjen

Trumpi këmbëngul për murin, trafikantët i kundërpërgjigjen

Ndërsa Donald Trump këmbëngul të ndërtojë murin në kufi me Meksikën, trafikantët e emigrantëve eksplorojnë nëntokën. Agjentët e patrullimit kufitar zbuluan një tunel të nëndheshëm në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, i cili duket të jetë përdorur për kalimin e klandestinëve.

Rreth 30 persona u ndaluan nga forcat patrulluese amerikane, mes të cilëve kishte meksikanë e kinezë. Asnjë lloj droge nuk iu gjet të arrestuarve, gjë që bën të mendohet se qëllimi kryesor i tunelit nuk është ai i trafikimit të lëndëve narkotike, por i dërgimit të emigrantëve në SHBA.

Agjentët iu afruan një grupi njerëzish që kishin diktuar nga larg, e kur këta i panë, një pjesë ia mbathën me vrap, ndërsa të tjerët u kthyen mbrapsht në tunel, gjë që çoi në zbulimin e tij.

Tuneli ka nisur të ndërtohet në Tijuana, më shumë se 90 metra larg kufirit me Amerikën, dhe kalonte nën gardhin rrethues të tij në Otay Messa. Mbi gjatësinë e tij, zyrtarët nuk dhanë informacione.

Trump vazhdon t’i qëndrojë me forcë premtimit të tij të fushatës për ngritjen e një strukture gjigante në kufi, e cila të frenojë emigracionin e paligjshëm nga Meksika. Manjati synon ndërtimin e një muri të padepërtueshëm, i cili të mbajë larg meksikanët, që dikur i përshkruante si “përdhunues” e “kriminelë”.

Muri prej 1.600 kilometrash do të mbulojë një pjesë të mirë të vijës kufitare prej 3.000 km që ndan dy shtetet, ndërsa pjesën tjetër të punës, sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë, do ta kryejnë pengesat natyrore.