Trumpi sulmon kompaninë “Apple”: Nuk po i zhbllokoni telefonat e vrasësve

Trumpi sulmon kompaninë “Apple”: Nuk po i zhbllokoni telefonat e vrasësve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka sulmuar me fjalë gjigantin amerikan të teknologjisë, Apple, duke thënë se kjo kompani po refuzon t’i zhbllokojë telefonat e vrasësve, shitësve të drogës dhe kriminelëve të dhunshëm.

Të hënën, prokurori i përgjithshëm amerikan, William Barr, e akuzoi këtë kompani për mungesë të bashkëpunimit në lidhje me një rast të sulmit me armë, i cili është duke u trajtuar si vepër terroriste.

Kjo është përplasja më e re në vargun e mosmarrëveshjeve mes Shtëpisë së Bardhë dhe gjigantit teknologjik në lidhje me qasjen në të dhënat e përdoruesve.

Presidenti Trump e akuzoi kompaninë “Apple” për refuzim të bashkëpunimit me hetuesit, pavarësisht se qeveria e tij e ka ndihmuar këtë kompani në çështjet e tregtisë dhe në fushat e tjera.

Komentet e presidentit erdhën vetëm një ditë pasi prokurori Barr tha se “Apple” nuk ka ofruar ndihmë thelbësore për zhbllokimin e dy telefonave në lidhje me sulmin në bazën ajrore në Florida.

Kjo nuk është hera e parë që kompania “Apple” përplaset me Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara. Pas një sulmi masiv në Kaliforni në vitin 2015, ku ishin vrarë 14 persona, kjo kompani kishte refuzuar të ofrojë ndihmë për të pasur qasje në telefonin e sulmuesit, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.