Turqi: Martesë para myftiut

Turqi: Martesë para myftiut

Qeveria turke planifikon t’u japë myftinjve të drejtën për të lidhur martesa. Organizatat e grave paralajmërojnë protesta.

Që pas futjes në përdorim të Kodit Civil në vitin 1926 martesat në Turqi mund të lidhen vetëm përpara nëpunësit të gjendjes civile. Certifikata zyrtare e martesës ishte po ashtu kusht për lidhjen e martesës në xhami apo në një institucion tjetër fetar. Çiftet që nuk martoheshin në gjendjen civile, por vetëm përpara përfaqësuesit të fesë dënoheshin me dy deri në gjashtë muaj burg.

Por dy vjet më parë Gjykata Kushtetuese e hoqi kushtin që për të lidhur martesë në një institucion fetar duhej përpara të ishe martuar në gjendjen civile, me arsyetimin se martesat para një kleriku nuk janë në kundërshtim me parimet e së drejtës penale.

Tani qeveria qurke po shkon një hap më tej. Sipas legjislacionit të ri autoritetet lokale fetare, pra myftinjtë, do të kenë të drejtë të lidhin martesa që janë ligjërisht të vlefshme si ato të lidhura në zyrtat e gjendjes civile, njofton DW.

Kritika për fundin e laicizmit

Parlamenti pritet të votojë për ligjin pas pushimeve të verës. Por meqë partia islamiko-konservatore AKP ka në parlament shumicën dhe mbështetet edhe nga partia nacionaliste MHP ligji mund të miratohet pa debate.

Partia më e madhe opozicionare CHP, që konsiderohet si mbrojtëse e laicizimit në Turqi, është kundër këtij ligji. Edhe partia kurde HDP është kundër dhe e sheh këtë ligj si përpjekje të AKP-së për të futur në përdorim ligje anti-laike të bazuara në rregulla islamike. Ministri i Drejtësisë Bekir Bozdag, tha se ligji nuk bie në kundërshtim me parimin e laicizimit dhe se me ligjin e ri mbrohen më mirë të drejtat e grave në martesë.

Protesta nga organizatat për të drejtat e grave

Organizatat për të drejtat e grave po përgatiten për protesta, sepse sipas mendimit të tyre ligji i ri do të çojë në shtimin e martesave të të miturave dhe do t’u japë mundësi burrave të martohen më tepër se me një grua njëkohësisht. Ato mendojnë se myftinjtë nuk do ta respektojnë ligjin për moshën minimale të martesës si dhe kushtin që personat duhet të jenë të pamartuar.

Aktivistja për të drejtat e grave Gjylsyme Kava dhe presidentja e shoqatave të grave Canan Gylly e konsiderojnë miratimin e një ligji të tillë shtypje dhe poshtërim të grave. Organizatat për të drejtat e grave i kanë dërguar një letër presidentit Erdogan ku kërkojnë prapësimin e këtij ligji.(DW)