Numri i të vdekurve nga tërmeti në Izmir të Turqisë u rrit në 62, njoftoi Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), transmeton Insajderi.
Të paktën 940 njerëz janë lënduar nga tërmeti me magnitudë 6,6 që të premten tronditi Izmirin, qytetin e tretë më të madh të Turqisë. Të paktën 722 të lënduar janë lëshuar nga spitalet, ndërsa po vazhdon trajtimi për të tjerët.
Pas tërmetit janë regjistruar 947 pas-tronditje, prej të cilave 43 më të forta se katër ballë, raporton Anadolu Agency (AA).
Më herët, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se shumë shpejt shtëpi të reja do të ndërtohen për të gjithë ata që mbetën pa kulm mbi kokë si pasojë e tërmetit.
Kuzhina lëvizëse dhe çadra janë vendosur në terren për të pastrehët dhe të traumatizuarit.
Deri në 104 njerëz janë shpëtuar nga rrënojat, ndërsa aktivitetet e kërkimit dhe shpëtimit ende vazhdojnë.
Turqia është ndër zonat sizmike më aktive në botë, ndërsa ka pësuar tërmete shkatërruese edhe në të kaluarën. /Insajderi.com