Turqia: Armatosja e kurdëve, pasoja edhe për vet Amerikën

Turqia: Armatosja e kurdëve, pasoja edhe për vet Amerikën

Turqia paralajmëroi një ditë më parë Shtetet e Bashkuara, se vendimi për të armatosur forcat kurde që luftojnë militantët e Shtetit Islamik në Siri do të rezultojë e dëmshme për Uashingtonin, ndërsa akuzoi aleatin e saj në NATO se po vihej në anën e terroristëve.

Kritika e fortë vjen një javë përpara se presidenti Recep Tayyip Erdogan të vizitojë Uashingtonin për takimin e tij të parë me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili miratoi furnizimin me armatime në mbështetje të një fushate për të rimarrë qytetin sirian Raqqa nga Shteti Islamik.

Turqia i konsideron militantët e “YPG”-së në Siri, si zgjatim të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që ka zhvilluar një kryengritje në juglindje të vendit që prej vitit 1984 dhe konsiderohet gjithashtu grup terrorist, veç Turqisë, edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Europa.

“Duam të besojmë se aleatët tanë do të preferojnë të vihen në anën tonë, e jo në krah të organizatave terroriste”, tha Erdogan në një konferencë për shtyp në Ankara, duke shtuar se do të përcillte qëndrimin e Turqisë përballë Trumpit javën e ardhshme dhe në samitin e NATO-s, më vonë gjatë këtij muaji.

Ai tha gjithashtu se, shpreson që vendimi i marrë nga amerikanët të ndryshohet deri në momentin që ai do të vizitojë Shtetet e Bashkuara, njofton tch.

Më herët, kryeministri Binali Yildirim u tha reporterëve se, dështimi i SHBA-ve për të marrë në konsideratë ndjeshmërinë e Turqisë “do të ketë padyshim pasoja dhe do të sjellë rezultate negative edhe për vet Amerikën”.