fbpx

Turqia blen raketa nga Putini, Erdogan thotë se nuk kanë pse të marrin leje nga Amerika

Turqia blen raketa nga Putini, Erdogan thotë se nuk kanë pse të marrin leje nga Amerika

Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë pajisjen e Turqisë, me aeroplanët luftarakë F-35, nëse Ankaraja do të vazhdojë me blerjen e sistemit rus, të mbrojtjes raketore.

SHBA-ja i ka bërë thirrje Turqisë të mos instalojë sistemin rus, pasi ai ka kapacitet të identifikojë aeroplanët amerikanë, të cilët janë të ndërtuar për të shmangur ndjekjen nga radarët e armikut, dhe sensorët e nxehtësisë, por vetë Turqia nuk tundet nga llogorja.

“Nuk kemi përse ti marrim leje askujt për të përmbushur nevojat tona të sigurisë”- tha Recep Tayyip Erdogan, për blerjen e sistemit rus S-400.

“Për të përmbushur nevojat e saj të sigurisë, Turqia nuk ka përse të negociojë me asnjë vend, nuk ka përse të marrë leje dhe as të thyhet para presionit. Në dashtë zoti, dislokimi i S-400 do të fillojë muajin e ardhshëm”, tha në fjalën e tij Erdogan, përcjell TCH.

Por kjo, sipas SHBA do të ketë pasoja. Turqia është pjesë e vendeve që po angazhohen në prodhimin e aeroplanëve amerikanë F-35. Mirëpo, deri më tani, zyrtarët turq kanë refuzuar të heqin dorë nga blerja e sistemit mbrojtës raketor nga Rusia e Vladimir Putinit, duke thënë se do t’i bëjnë ballë edhe sanksioneve amerikane të cilat janë paralajmëruar nga zyrtarët e SHBA-së.