Turqia e Gjermania “në luftë” për organizmin e Euro 2024

Turqia e Gjermania “në luftë” për organizmin e Euro 2024

UEFA ka bërë të ditur sot nëpërmjet një komunikate zyrtare se Gjermania dhe Turqia kanë paraqitur zyrtarisht kandidaturën për të zhvilluar Europianin e vitit 2024.

Federata Gjermane e Futbollit konfirmoi interesimin e saj më datë 1 mars, ndërsa presidenti Reinhard Grindel i dorëzoi personalisht Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, Theodor Teodoridis, dosjen me dokumentet që nevojiteshin për këtë fazë të aplikimit.

“Ishte e rëndësishme që të prezantoja personalisht aplikimin në UEFA. Kemi besim se me eksperiencën tonë të gjerë, infrastrukturën e stadiumeve që kemi dhe kushtet thelbësore në Gjermani, të arrijmë të zhvillojmë një turne ekonomik, por të klasit të parë”, tha Grindel.

Ndërkaq, një ditë më vonë e kishte radhën Turqia të dorëzonte aplikimin e saj, nëpërmjet presidentit Jildirim Demiroren.

“Federata Turke ka aplikuar tre herë për të pritur Europianin. Tani shpresojmë se hera e katërt do të jetë me fat për ne. Gjatë viteve të fundit kemi ndërtuar rreth 32 stadiume dhe me këto ritme, Turqia konfirmohet si një nga liderët botërorë për përkushtimin ndaj futbollit”, theksoi ai.

Pasi u mbyllen aplikimet me datë 3 Mars, UEFA nisi punën për të përgatitur dosjen me kërkesa specifike që do t’u dorëzohen dy federatave. Ata do të kenë kohë deri në prillin e vitit 2018 për të specifikuar detajet për zhvillimin e turneut, ndërsa zgjedhja përfundimtare e UEFA-s do të bëhet në shtator 2018.