Twitter dhe Facebook pezullojnë llogaritë kundër protestave në Hong Kong

Twitter dhe Facebook pezullojnë llogaritë kundër protestave në Hong Kong

Rrjetet sociale Twitter dhe Facebook kanë pezulluar operacione të shumta informacioni, për të cilët ata besojnë se janë mbështetur nga qeveria kineze dhe kanë origjinë nga Kina në një përpjekje për të sabotuar protestat në Hong Kong, thanë kompanitë sot.

Twitter njoftoi se ka pezulluar 936 llogari dhe operacione për të cilat beson se janë veprime të koordinuara që rrjedhin nga autoritetet kineze.

Në deklaratë thuhet se këto llogari ishin vetëm pjesa më aktive e fushatës dhe se një rrjet më i madh i mbushur me spam me rreth 200.000 llogari u pezullua para se llogaritë të bëheshin aktive.

Facebook tha se kishte hequr llogaritë dhe faqet pasi mori një lajmërim nga Twitter.

Ky rrjet social pretendon se hetimi ka çuar te njerëzit e lidhur me qeverinë kineze, transmeton KosovaPress.

Protestat në Hong Kong, të cilat janë një nga sfidat më të mëdha për presidentin kinez Xi Jingping që nga ardhja në pushtet më 2012, filluan në qershor kundër një ligji ekstradimi që lejon të dyshuarit të gjykohen në shtetin amë – Kinë.

Ligji u pezullua ndërkohë, por protestat u përshkallëzuan në një luftë më të gjerë për demokracinë në ish-koloninë britanike që u kthye nën kontrollin kinez më 1997.