U gjet trupi i shahut iranian Reza?

Iranianët besojnë se është në pyetje pikërisht trupi i tij, udhëheqësit islamik frikohen prej forcimit të rojalistëve.

U gjet trupi i shahut iranian Reza?

Një trup i mumifikuar në afërsi të një tempulli të rrënuar në Teheran besohet se i takon shahut Reza, sunduesit të Iranit nga dinastia Pahlavi nga fillimi i shekullit të 20. Paraqitja e sërishme e tij me siguri do të jetë problem për udhëheqësit islamik, shkruan Guardian.

Mediet lokale po publikojnë raportet kontradiktore mbi zbulimin në tempullin e shahut Abdul-Azim, në afërsi të ish mauzoleut mbretëror në jug të kryeqyteti ku ishte varrosur Pahlavi.

Mediet konservative e hedhin poshtë mundësinë se vërtet bëhet fjalë për sunduesin e ndjerë, por shumica besojnë se mohimi i tyre është i lidhur me frikën nga forcimi i sërishëm i rojalistëve edhe atë pikërisht tani, në kohën kur Republika Islamike po përpiqet t’i mbrojë të arriturat e revolucionit, transmeton Insajderi.com.

Mauzoleu i shahut Reza është shkatërruar në vitin 1979 pas revolucionit kur u përmbysë dinastia Pahlavi. Atëbotë ekstremistët islamik kanë hipur në kullë të mauzoleut dhe e shkatërruan me çekanë pneumatik dhe me makina shpimi. Njëri nga udhëheqësit islamik, Sadegh Khalkhali, i njohur si “gjykatës për varje” ka shprehur keqardhje se trupi i Reza Pahlavit nuk është gjetur.

Ende nuk është konfirmuar se a është trupi i mumifikuar vërtetë i shahut Reza, por vendi i zbulimit dhe ngjashmëria në mes të mumjes dhe fotografisë së shahut të ndjerë në arkivol japin një peshë të konsiderueshme këtij pretendimi.

Pas zbulimit të ri, përsëri janë paraqitur zërat të cilat kërkojnë kohën e shahut, dhe të cilat nuk janë dëgjuar me dekada. Ata me zë të lartë flasin për nivelin e pakënaqësive  të cilat po i ndiejnë banorët e Iranit duke jetuar nën sundimin e ajatollahut.

“Reza shah, Zoti të bekoftë”, kanë bërtitur njerëzit gjatë protestave të paradokohshme për shkak të situatës ekonomike, dhe të cilat në ndërkohë u zgjeruan në madje 80 qytete.

Shahu Reza ka vdekur në mërgim  në Afrikën e Jugut ku kishte arrit pas invadimit anglo-sovjetik në Iran gjatë Luftës së Dytë Botërore. Trupi i tij u dërgua në Egjipt ku ishte mumifikuar dhe më pas ishte transportuar në Teheran dhe ishte varrosur në mauzole.

Djali i tij Muhamed Reza shah e trashëgoi fronin në vitin 1941, por në fillim të revolucionit e braktisi vendin.

Nipi i Rezas, princi Reza Pahlavi, pa publikuar në Twitter se është duke përcjellë me vëmendje lajmin mbi zbulimin e trupit. Gjithashtu ai ka demantuar thashethemet se trupi i gjyshit të tij është nxjerrë jashtë vendit gjatë revolucionit./Insajderi.com.