
Ambasadori i Italisë, truproja i tij dhe një shofer nga Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara u vranë kur autokolona e tyre në një mision bamirës u zu pritë në Republikën Demokratike të Kongos, shkruan The Washington Post, transmëton Insajderi.
Ambasadori, Luca Attanasio, 43 vjeçar, polici ushtarak italian Vittorio Iacovacci, 30 vjeçar dhe një shofer kongolez, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, u qëlluan për vdekje në tentativën e rrëmbimit ndërsa po çoheshin në pyllin e dendur të Virunga.
Flota e automjeteve u sulmua rreth orës 8:15 të mëngjesit të sotëm afër qytetit të Kanyamahoro, 15 milje në veri të kryeqytetit rajonal Goma, tha një zëdhënës i Parkut Kombëtar Virunga.
Shoferi ishte duke punuar për Programin Botëror të Ushqimit të KB, tha ai në një deklaratë, duke shtuar se një numër udhëtarësh të tjerë u plagosën. /Insajderi.com