Uashington: Integrimet euroatlantike, garanci sigurie për vetë Evropën

Strukturat euroatlantike kanë qenë një garantues i rëndësishëm i stabilitetit për vende që kanë aspiruar anëtarësim në këto organizata.

Uashington: Integrimet euroatlantike, garanci sigurie për vetë Evropën

Ka rëndësi që kjo garanci të mos zbehet dhe të mos humbasë vlerën e saj, thonë diplomatë e ish-zyrtarë të lartë të administratës amerikane. Në një diskutim që përqendrohet tek objektivat e NATO-s në rajonin e Mesdheut, pjesëmarrësit theksojnë rëndësinë që NATO dhe Bashkimi Evropian të mbeten një pikë orientuese për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Premtimi për anëtarësim në strukturat euroatlantike ka bërë të mundur reforma të rëndësishme institucionale e politike në Ballkanin Perëndimor, thekson ish-zv/sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Alexander Vershbow. Ai shprehet entuziast për vazhdimin e zgjerimit të NATO-s me vende të rajonit, duke përshëndetur votën e së martës në Senat pro anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ky hap merr rëndësi të veçantë sidomos pas vendimit të Bashkimit Evropian për të ngrirë procesin e hapjes së bisedimeve për dy vende ballkanike, shton ai:

“Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendimi i Bashkimit Evropian ishte një hap serioz prapa dhe shpresoj të jetë thjesht një vonesë e përkohshme dhe jo një zhvendosje strategjike e Bashkimit Evropian duke iu larguar synimit për integrim të mëtejshëm euroatlantik për të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Vazhdimi i zgjerimit, thotë ish-zyrtari i lartë amerikan, është një garanci sigurie për vetë Evropën, e parë sidomos në dritën e shtimit të aktivitetit rus në rajon:

“Është në interes të Evropës që edhe këto vende të ndjekin rrugën që kanë ndjekur vende të tjera për të çuar përpara reformat e nevojshme. Në këtë mënyrë Ballkani do të bëhet një rajon shumë më i stabilizuar dhe do të ulet mundësia që Rusia të shkaktojë probleme”.

Ambasadori italian, Armando Varricchio në Shtetet e Bashkuara thotë se zoti Vershbow u tregua diplomatik në komentet e tij dhe se kur është fjala për vendimin e fundit të BE-së, ai vetë preferon të flasë pa dorashka.

“Unë nuk do të tregohem aq diplomatik dhe do të them se vendimi për të mos hapur bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është qartësisht dhe thjeshtësisht një gabim shumë i madh”.

Ambasador Varricchio shton se Italia vlerëson angazhimin dhe mbështetjen e Shqipërisë në përgjigje të sfidave rajonale, prandaj edhe qeveria e tij reagoi ndaj vendimit për mos hapjen e bisedimeve:

“Shqipëria është një partnere shumë e mirë. Prandaj, në ditën kur Këshilli Evropian mori këtë vendim të gabuar, kryeministri ynë ishte për vizitë në Shqipëri për të dëshmuar bashkëpunimin tonë dhe për të nënvizuar se marrëdhëniet me fqinjët për ne janë shumë të rëndësishme,” tha ambasadori italian në SHBA.

Me gjithë tronditjen që shkaktoi vendimi i BE-së, Ambasadori Vershbow thekson se NATO-ja mbetet e përkushtuar në zotimet e saj ndaj vendeve të rajonit:

“Shqipëria është në NATO dhe Maqedonia e Veriut është thuajse anëtare. Senati ratifikoi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, për të bërë të mundur anëtarësimin zyrtarisht në pranverë,” tha zoti Vershbow.

Pjesëmarrësit në diskutim theksojnë se me problemet e mprehta që janë shfaqur në Lindjen e Mesme gjatë viteve të fundit, pellgu i Mesdheut nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Ky rajon është ndeshur me një numër problemesh të mprehta, si destabiliteti politik në Afrikën Veriore, vala e vazhdueshme e imigrantëve si deh rreziku i zgjerimit të influencës nga rivalë të tjerë globalë si Kina dhe Rusia. Ndër rekomandimet e tyre përfshihet një vëmendje më e madhe dhe më e përqendruar e NATO-s në rajon, duke dalë me një strategji specifike, sidomos për bashkëpunimin rajonal për mbrojtjen./voa.