Izraeli është plotësisht përgjegjës për shënjestrimin e vazhdueshëm të civilëve në Rripin e Gazës, tha udhëheqësi i Hamasit, transmeton Insajderi.
Ismail Haniyeh në një deklaratë theksoi se sulmi i neveritshëm i Izraelit në kampin e refugjatëve Al-Shati herët sot ishte një vazhdim i masakrave që ka kryer në pjesë të ndryshme të territorit të pushtuar palestinez, raporton Anadolu Agency (AA).
Të paktën dhjetë civilë palestinezë, përfshirë tetë fëmijë, u vranë kur aeroplanët luftarakë izraelitë bombarduan dhe shkatërruan një shtëpi banimi në kampin e refugjatëve Al-Shati në perëndim të qytetit të Gazës.
Udhëheqësi i Hamasit tha se masakrat e Izraelit në Rripin e Gazës “zbulojnë dobësinë dhe dështimin e armikut dhe dilemën me të cilën përballet për shkak të rezistencës së madhe”.
Haniyeh u zotua se forcat palestineze të rezistencës “do të vazhdojnë të mbrojnë popullin e tyre dhe do të mposhtin ushtrinë armike dhe do të parandalojnë që ajo të vazhdojë masakrat e saj”.
Gjithsej 139 palestinezë, përfshirë 39 fëmijë dhe 22 gra, janë vrarë dhe 950 të tjerë janë plagosur që kur Izraeli filloi sulmet në Gaza të hënën e kaluar.
Sulmet ajrore në Gaza u paraprinë nga tensionet disaditëshe dhe agresioni izraelit në Jeruzameli Lindor të okupuar, ku qindra palestinezë u sulmuan nga forcat izraelite dhe kolonët në Xhaminë Al-Aksa dhe në lagjen Sheikh Jarrah.
Kohët e fundit, tensionet u përshkallëzuan më tej, duke u zhvendosur nga Jeruzalemi Lindor në Gaza, pasi grupet palestineze të rezistencës atje u zotuan për hakmarrje ndaj sulmeve izraelite në Xhaminë Al-Aksa dhe Sheikh Jarrah nëse nuk ndaleshin.
Izraeli pushtoi Jeruzalemin (Kudsin) Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, veprim ky që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar. /Insajderi.com